Auto

Audi Q3 i ri po vjen

Audi Q3 i ri po vjen

Pas gati dy vjetësh të spiunimit të prototipit dhe informatave që kanë qarkulluar jozyrtarisht, modeli i ri Audi Q3 do të shpaloset për pak ditë për publikun. Vetura do të prezantohet më 16 qershor.

Me më shumë se dy milionë Q3 të shitur që nga lansimi më 2011, modeli i ri do të vazhdojë të garojë me BMW X1, Mercedes GLA e Volvo XC40.

Fotografia e parë zyrtare e Q3-shit të ri konfirmon atë që është raportuar tashmë. Ai do të ketë drita të stilit të Audi Q5 dhe të Q6 e-tron.

Njësitë e para të Q3-shit do të arrijnë te klientët para fundit të vitit.

Do të ketë edhe version Sportback.

Q3-shi i ri do të jetë më i gjerë e më agresiv, ndërsa brenda pritet ta ketë dizajnin “Digital Space” që është më i riu te brendi gjerman. Paneli i instrumenteve dhe ekrani qendror i ndjeshëm në prekje do të jenë të lakuar.

Sa u përket motorëve, Q3 i ri do të vijë në versionin ‘evo’ siç përdoret te Volkswagen Tiguani dhe Cupra Terramar e jo si atë që është përdorur te modeli i fundit Q5.

Vetura, sipas pritjeve të kompanisë, është paraparë të jetë një prej modeleve të fundit me djegie të brendshme që lansohet nga Audi. Do të ketë edhe versione benzinë, naftë e hibride. Pritet që Q3 të ketë motor të njëjtë si Tiguani, 1.5 ose 2.0 litërsh benzinë të kombinuar me baterinë 48-voltëshe. Do të jetë edhe motori 2.0-litërsh TDI. Të gjitha funksionojnë me sistemin e ngasjes me rrotat e përparme.

Sa u përket versioneve hibride, Q3 pritet të ketë kombinim 1.5-litërsh benzinë dhe një bateri elektrike me 113 kuajfuqi. Si kombinim, totali tejkalon 300 kuajfuqitë.

Një veturë e tillë do të kushtojë me çmim fillestar prej 42 mijë eurosh.