Auto

Rënia e fitimeve, Tesla përgatit lansimin e modeleve më të lira

Tesla

Kompania e automjeteve elektrike, Tesla, ka paralajmëruar lansimin e modeleve të reja të cilat do të jenë më të lira, në përgjigje të konkurrencës nga Kina pasi fitimet e saj u përgjysmuan këtë vit.

Gjithashtu, kompania largoi mijëra punëtorë në përpjekje për t’u përballur me krizën e rënies së blerësve.

Prodhuesi i automjeteve elektrike të martën bëri të ditur se kishte bërë 1.13 miliardë dollarë gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, krahasuar me 2.51 miliardë dollarë një vit më parë.

Kompania që drejtohet nga miliarderi Elon Musk do të largojë 10 për qind të fuqisë punëtorë në të gjitha fabrikat në të gjithë botën.

Por njoftimi për lansimin e modeleve të reja, ku disa prej tyre pritet të jenë më të përballueshme financiarisht për blerësit, rriti aksionet me gati 12.5 për qind.

Kompania nuk zbuloi detaje mbi çmimin e automjeteve të reja.

Tesla së fundmi vazhdimisht ka ulur çmimet për veturat e saj.