Auto

Musk punëtorëve të Teslas: Ejani në zyrë ose jepni dorëheqje

Shefi ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, u ka kërkuar punonjësve të kthehen në zyrë ose të largohen nga kompania, sipas një e-maili dërguar punonjësve të martën mbrëma, njoftoi të mërkurën Reuters.

“Të gjithëve në Tesla u kërkohet të kalojnë në zyrë të paktën 40 orë në javë. Nëse nuk paraqiteni, supozohet se keni dhënë dorëheqje”, thuhet në emailin e dërguar nga Musk.

Kjo kërkesë e Muskut erdhi pasi sipas tij, duhet punuar nga zyra për të prodhuar produkte të jashtëzakonshme.

"Sigurisht që ka kompani të cilat nuk e kërkojnë këtë, por kur ishte hera e fundit që dërguan një produkt të ri të mrekullueshëm? Ka kaluar një kohë. Tesla ka dhe do të prodhojë produktet më të jashtëzakonshme të çdo kompanie në Tokë. Kjo nuk do të ndodhë me anë të telefonatave”, ka thënë Musk.

Shumë kompani, përfshirë edhe Teslan, gjatë pandemisë kanë lejuar punëtorët të punojnë nga shtëpitë e tyre, por me kalimin e rrezikut të pandemisë, Musk kërkon nga punëtorët që të paraqiten në punë.

Twitteri gjatë muajit mars ka njoftuar se zyrat e kësaj kompanie të rrjeteve sociale do të rihapen, por punonjësit mund të punojnë ende nga shtëpia.