Për disa njerëz, gjërat shtesë në vetura janë shumë të rëndësishme dhe kompania Tesla mendon vazhdimisht për to.
Oferta e Teslas, aktualisht përfshin shumë gjëra që ishin të panjohura në industrinë e veturave deri më tash, nga mundësia e autopilotimit e deri te sistemi për karaoke. E këtij sistemi, tashmë i është shtuar edhe mikrofoni.
Tash për tash, kjo mundësi ofrohet vetëm për tregun e Kinës, por së shpejti do të jetë në gjithë botën. Nëse dikush bllokohet në trafik, e ka shumë mundësi t’i ndodhë kjo, atëherë mund të marrë mikrofonin dhe të këndojë.
Në Kinë ofrohen dy mikrofona për rreth 170 euro. Nëse bordi i veturës ka kompjuter, ku ka të instaluar versionin e ri të softuerit “2022.2.1”, atëherë mikrofoni lidhet automatikisht me të.
Mundësia e përdorimit të sistemit info-argëtues të Teslas si platformë karaoke është e disponueshme që nga viti 2019. Në atë kohë, prodhuesi amerikan integroi funksionin karaoke në sistem dhe deri më tash, pronarët e këtyre veturave kanë mundur të këndojnë pa mikrofon.
Tashmë ofertës i janë shtuar edhe mikrofonët, fillimisht vetëm në Kinë, e më pas do të jenë të disponueshme edhe në vende të tjera. /autoblog