Prodhuesi prestigjioz gjerman i automjeteve, Audi, së shpejti do të prezantojë zyrtarisht modelin serik e-tron GT, i cili në formë koncepti ka debutuar para dy vjetëve në panairin e veturave që është mbajtur në Los Anxhelos.
Me këtë model, Audi planifikon të rivalizojë Model S të Teslës. Prodhimi serik i modelit të ri e-tron GT pritet të fillojë së shpejti po ashtu, transmeton KOHA. Prodhimi do të bëhet në fabrikën Neckarsulm, në Gjermani, aty ku prodhohet edhe Audi R8.
{gallery}
Sipas njoftimeve të mëparshme, Audi e-tron GT serik do të ketë sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat ndërsa me një mbushje të baterisë do të mund të lëvizë rreth 400 kilometra. Po ashtu, fjala është për një veturë shumë dinamike, ku 80 për qind e kapacitetit të baterisë mund të mbushet për rreth 20 minuta.
Sa i përket specifikave të e-tron GT-së serik, Audi ende nuk i ka zbuluar por pritet të vijë me dy motorë elektrikë me kapacitet në total prej 590 kuajfuqi.
Kujtojmë se Audi e-tron GT në version të konceptit është i gjatë 4.96 metra, i gjerë 1.96 metra, i lartë 1.38 metra dhe me bosht të gjatë prej 2.9 metra. Po ashtu, koncepti e-tron GT shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për 3,5 sekonda ndërsa atë maksimale e ka të kufizuar në 240 km/h.
Përveç kësaj, Audi ka konfirmuar se në të njëjtën kohë me versionin e rregullt do të lansohet edhe top versioni i quajtur e-tron GT RS.