Auto

Renaulti mendon për kursime, heq nga planet modelin Espace

Foto: Reuters

Prodhuesi i njohur i veturave, Renault po përgatitet të reduktojë linjën e veturave të prodhuara, duke tërhequr edhe modelin e njohur Espace, si pjesë e planeve për të reduktuar koston e shpenzimeve.

Kompania, e prekur nga rënia e ish-shefit Carlos Ghosn dhe nga dështimi në tregun e vet, pritet të zbulojë planin e saj të detajuar për kursime në fund të muajit maj. Me të shpreson të ulë shpenzimet për dy miliardë euro në tre vjetët e ardhshëm, raporton Reuters.

Strategjia e re do të ketë ndikim edhe në partneritetin me Nissanin nga Japonia.

“Projekti nuk është vendosur akoma përfundimisht, por Espace, Scenic dhe Talismani i madh mund të konsiderohen tashmë të fshirë nga programi i produkteve për të ardhmen. Ka një pajtim që këto modele të mos vazhdohen”, ka thënë një burim i Reutersit.

Kompania kishte nisur një rirregullim të linjës më 2009, por akoma ka mes 45 dhe 50 modeleve në katalogun e vet.

Renaulti, që vitin e shkuar pati humbje neto për herë të parë në dhjetë vjet, është goditur edhe nga pandemia COVID-19. Kompania ka refuzuar të komentojë për raportimet.

Prodhuesi i veturave, që është 15 për qind nën pronësi të shtetit francez, po negocion për një pako ndihmëse prej 4-5 miliardë eurosh për të tejkaluar krizën.