Auto

A po “vdes” vetura?

Qytetet kudo nëpër botë kanë shënuar ulje të numrit të automobilave që qarkullojnë nëpër rrugë, ndërsa shumë prej tyre po planifikojnë ta mbajnë kështu trendin edhe pas masave të izolimit nga koronavirusi

Teksa izolimet botërore po i mbajnë njerëzit nëpër shtëpi, rrugët e ndotura nëpër gjithë botën janë transformuar në hapësira të zbrazëta e të heshtura. Mungesa më e dukshme është ajo e automobilave, pasi që njerëzit i kanë lënë ato të parkuara për javë të tëra.

Mungesa e automobilave ka kontribuar në rënien e shpejtë të emetimit të dyoksidit të karbonit dhe ndotësve të tjerë. Efektet e izolimit mbi çmimet e naftës kanë qenë goditje e madhe.

Disa qytete kanë kthyer rrugët e zbrazëta në zona për këmbësorë, për të mundësuar që ata të përgatiten për distancimin social. Ndërkohë, Milanoja – epiqendra e koronavirusit në Itali – ka njoftuar se do të transformojë 35 kilometra të rrugëve të saja për qarkullimin e biçikletave, pas daljes nga izolimi.

A do të mundet kjo pandemi, një emergjencë globale, ta përshpejtojë kapërcimin drejt ajrit më të pastër dhe a mundet që skema e Milanos të shërbejë si plan edhe për qytetet e tjera që janë përpjekur vazhdimisht që ta mposhtin dominimin e automobilave?

Efektet në mjedis

Ndikimi i pandemisë në ambient ka qenë i jashtëzakonshëm. Emetimet e karbonit nga djegia e karburanteve janë duke pësuar rënie prej 5.5 deri 5.7 për qind në krahasim me një vit më herët.

Nga mesi i janarit deri në mesin e shkurtit, emetimi i karbonit në Kinë ka rënë për 25 për qind. Në Delhi, ku shpesh është ajri më i ndotur në botë, ndotja e shkaktuar nga trafiku ka shënuar rënie për 75 për qind. Rënia e oksideve toksike në Paris u raportua të jetë rreth 70 për qind, ndërsa në Milano për 40 për qind...