Auto

Automobilat e Paul Walker shiten në ankand për 2.33 milionë dollarë

Koleksioni i Walker përbëhej nga 18 automobila dhe tri motoçikleta nga periudha të ndryshme të automobilizmit, ndërsa në ankandin njëjavor të shtëpisë së famshme të ankandeve Barrett-Jackson të mbajtur në Scottsdale, çmimin më të lartë prej 385,000 dollarëve e arriti BMW M3 Lightweight i vitit 1995.

Bëhet fjalë për një nga pesë BMW E36 M3 Lightweight, që janë prodhuar vetëm 126 sish. Të pestët janë nga i njëjti grup, të gjithë të bardhë dhe me një spoiler të madh në pjesën e prapme.

M3 Lightweight deri më tani e ka arritur çmimin prej 150.000 dollarësh, ndërsa fakti që automobilat ishin në pronësi të një personi të famshëm e rriti çmimin më tej.

Një nga favoritët e turmës ishte automobili Nissan 370Z i vitit 2009, i cili u paraqit në filmin "Fast Five". Automjeti me kilometrazh të ulët u shit të enjten për 105.600 dollarë, çmimi më i lartë i arritur ndonjëherë për një 370Z, shkruan KOHA Ditore.

Të shtunën automobili Ford Boss 302S i vitit 2013 i cili nuk u përdor kurrë në gara, u shit për 95,700 dollarë ndërsa Walker e kishte marrë atë si dhuratë.

Të gjitha të ardhurat nga shitja e automobilave shkuan në një fondacion të drejtuar nga vajza 20-vjeçare e Walker, Meadow. Paul Walker vdiq më 30 nëntor 2013 në një aksident automobilistik gjatë kthimit nga një mbrëmje bamirësie.