Shitjet e veturave elektrike në nivel global vazhdojnë të rriten me shifra rekorde.
Sipas të dhënave nga EV-Volumes, që është baza e të dhënave për shitjet e automjeteve elektrike, në gusht janë regjistruar 847,590 shitje të automjete të reja, që është 60 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Në nivel global, këto vetura zënë 15 për qind të tregut (11 për qind janë plotësisht elektrike dhe katër për qind hibride plug-in).
Deri në fund të gushtit janë regjistruar më shumë se 5.7 milionë makina të reja elektrike të shitura, që do të thotë se deri në fund të vitit mund të tejkalohet kufiri “joreal” prej 10 milionë njësive.
Për krahasim, në vitin 2021 janë shitur 6.5 milionë njësi.
Sa u përket modeleve më të shitura, Tesla Model Y është në krye dhe ndër dhjetë më të shiturit janë edhe Tesla Model 3, Volkswagen ID.4 dhe gjashtë vetura të kompanisë kineze BYD, që është marka më e përfaqësuar në këtë renditje.
Kjo kompani, që është ndër prodhuesit më të mëdhenj të makinave elektrike në botë, këtë vit u fut në tregun evropian (Norvegji, Suedi, Danimarkë, Holandë, Belgjikë, Luksemburg dhe Gjermani) e së fundi nënshkroi një kontratë me kompaninë gjermane të makinave me qira Sixt për dërgimin e 100,000 njësive elektrike.
Në gjysmën e parë të këtij viti, kjo kompani ka shitur 640.000 vetura të modeleve të ndryshme.
Modelet më të shitura gjatë vitit 2022
- Tesla Model Y - 409.378
- Wuling Hong Guang MINI EV - 278.838
- Tesla Model 3 - 268.157
- BYD Song - 239.739
- BYD Qin Plus - 198.326
- BYD Han - 148.512
- BYD Dolphin - 102.620
- Volkswagen ID.4 - 99.880
- BYD Yuan Plus - 92.776
- BYD Tang - 79.211
- Li Xiang One - 75.397
- Chery QQ Ice Cream - 72.094
- Chery eQ1 - 68.153
- GAC Aion Y - 67.793
- Hyundai Ioniq 5 - 67.781
- Changan Benni EV - 64.553
- Hozon Neta V - 59.637
- GAC Aion S - 58.471
- Kia EV6 - 54.896
- 20) Ford Mustang Mach-E - 51.447