Kompania çeke e njohur e veturave, Skoda, është gati që së shpejti të promovojë gjeneratën e re, të katërt, të modelit Octavia.
Më herët, kompania pati paralajmëruar se promovimin e Octavias së re do ta mbajë më 11 nëntor në Pragë, me të cilin do të shënojë edhe 60 vjetorin e këtij modeli, transmeton Koha.net. Po ashtu, në njoftim thuhet se në botë deri tani janë shitur rreth 6.5 milionë njësi të të gjitha gjeneratave të Octavias.
Skoda, sot ka publikuar edhe detajet zyrtare dhe disa fotografi në të cilat shihet Octavia e re e kamufluar - në version karavan. Në ofertë, përsëri do të gjendet versioni Liftback dhe karavani Combi.
Octavia e re do të vijë me platformën e Volkswagenit, MQB, si dhe thuhet se do të ketë më shumë hapësirë në interier si dhe bagazh më të madh për dallim prej modeleve tjera të kësaj kategorie.
Gjithashtu, Octavia e re në version Liftback është e gjatë 4.7 metra, e gjerë 1.8 metra, si dhe boshtin e rrotave me gjatësi prej 2.7 metra. Po ashtu, edhe versioni Combi i ka të njëjta dimensionet. Duhet theksuar se pasagjerët në ulëset e pasme kanë më shumë hapësirë për 78 mm, si dhe kapaciteti i bagazhit është 600 litra ndërsa te versioni karavan 640 litra.
Blerësit, po ashtu, në ofertë do të kenë edhe rrotat prej 19-inç.
{gallery}
Për interier, kompania ka zgjedhur material cilësor, sistemin për argëtim dhe informim me ekran të ndjeshëm në prekje, instrument-tabelën digjitale me ekran 10-inçësh, “freni i dorës” elektronik, ekranin Head-up si dhe kondicionerin tre zonal - të gjitha këto varen nga përzgjedhja e versionit dhe paketës shtesë.
Përveç kësaj, do të ofrohen edhe dritat e përparme Matrix Full-LED dhe të pasme Full-LED.
Sa i përket gamës së motorëve, te motorët benzinë në dispozicion do të jenë motori 1.0-litër TSI me tre cilindra e 110 kuajfuqi, 1.5-litër TSi me katër cilindra e 150 kuajfuqi, si dhe 2.0-litër TSI me 190 kuajfuqi, përcjell Koha.net. Pavarësisht motorit, në dispozicion do të jetë marshi manual me 6 shpejtësi dhe DSG me 7 shpejtësi. Motori 2.0-litër TSi po ashtu do të jetë në dispozicion me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.
Duhet përmendur se motorët 1.0 dhe 1.5-litër TSI do të jenë në dispozicion edhe në version mild-hybrid (me sistemin 48V), dhe në kombinim me vetëm marshin DSG me 7 shpejtësi.
Në ofertën e motorëve dizelë është motori 2.0-litër TDI Evo me 115, 150 dhe 200 kuajfuqi, ku dy të fundit do të jenë në dispozicion edhe me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.
Paralajmërohet edhe versioni Octavia iV plug-in hibrid, me kombinimin e motorit benzinë 1.4-litër TSI dhe motorit elektrik ku në total do të jetë me kapacitet prej 204 kuajfuqi ndërsa versioni më i fuqishëm me 245 kuajfuqi. Po ashtu, ky version hibrid do të vijë me marshin DSG me 6 shpejtësi.
Gjithashtu, në ofertë do të jetë edhe versioni Octavia G-TEC me sistemin CNG (Compressed Natural Gas – Gazi Natyror i Kompresuar), i cili do të ketë motorin benzinë 1.5-litër TSI me kapacitet prej 130 kuajfuqi, në kombinim me marshin manual me 6 shpejtësi ose DSG me 7 shpejtësi. G-TEC, po ashtu, do të ketë rezervarin për benzinë prej 9-litrash dhe tri rezervarë për CNG me kapacitet në total prej 17.7 kg.
Skoda Octavia e re, po ashtu, do të jetë në dispozicion edhe me amortizatorët sportiv (me lartësi prej 15 mm nga toka), si dhe me paketën “Rough Road”. Në ofertë, po ashtu, do të jetë sistemi DCC (Dynamic Chassis Control), i cili në mënyrë automatik rregullon amortizatorët varësisht nga zgjedhja e opsionit të vozitjes.