Auto

Dalin skicat e Octavias së re

Foto: Skoda

Pas prezantimit të modeleve të reja si Superb, Suberb iV hibrid, Superb Scout, Citigo në version elektrik për qytet, si dhe versionin Monte Carlo të Scalës dhe Kamiqit në panairin e veturave që është mbajtur së fundmi në Frankfurt, kompania e njohur çeke Skoda tani është duke u përgatitur të promovojë edhe gjeneratën e re të Octavias.

Skoda do ta promovojë gjeneratën e re të modelit Octavia më 11 nëntor në Pragë, me të cilin do të shënojë edhe 60-vjetorin e Octavias së parë, transmeton Koha.net. Deri atëherë, sot janë publikuar skicat zyrtare të Ocativas së re si paralajmërim se së shpejti do të mbahet premiera e tij.

Kujtojmë se Octavia e re do të vijë me platformën MQB të Volkswagenit, si dhe se do të ketë më shumë hapësirë në interier dhe bagazh më të madh se modeli aktual.

Image

Sipas informacioneve të tanishme, Octavia e re do të jetë më e gjatë për 2 cm sesa modeli aktual ndërsa boshtin e rrotave do ta ketë të njëjtë.

Sa i përket interierit, do të përbëhet nga materiali cilësor, do të ketë një ekran të ndjeshëm në prekje, si dhe si opsion për zgjedhje do të jetë në dispozicion edhe instrument-tabela digjitale 12.3-inçësh.

Gjithashtu, në gamën e gjeneratës së re të Octavias në dispozicion do të jetë edhe versioni Liftback dhe Combi (karavan).

Ndërsa në gamën e motorëve, pritet të jenë motorët benzinë - 1.0-litër me tre cilindra, 1.5 dhe 2.0-litër; disa motorë dizelë po ashtu, si dhe versioni plug-in hibrid.

Image

Përmendet edhe se motorët benzinë do të jenë në dispozicion me sistemin 48-voltësh (mild-hybrid), si dhe se në krye të ofertës do të jetë versioni sportiv Octavia RS me kapacitet rreth 265 kuajfuqi.

Revista e njohur gjermane “Auto Bild”, po ashtu, ka publikuar sot një fotografi të Octavias së re në version karavan.