Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Instituti GAP dhe GLPS kërkojnë të ndërpritet monopoli në homologim të veturave

Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kërkojnë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Qeveria e Kosovës që të ndërpresin monopolin në homologimin e veturave sepse është i kundërligjshëm dhe po e dëmton interesin financiar të qytetarëve të Kosovës.

Për më tepër, ky monopol është pengesë për realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe po mbahet në fuqi në kundërshtim me rekomandimet e zyrës së Bashkimit Evropian. ripërsërisin qëndrimet e tyre që homologimi i veturave në Kosovë mbetet monopol i paarsyeshëm, kundër rregullave të konkurencës së lirë, kurse çmimet arbitrare për shërbimet në fjalë mbeten barrë e rëndë për qytetarët e Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Konkretisht, ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shfuqizojë Udhëzimin Administrativ 02/2018, i cili i mundëson kompanisë aktuale që të vazhdojë tutje me monopolin në këtë fushë. Ne kërkojmë që Udhëzimi i ri Administrativ të garantojë që konkurrenca e lirë dhe interesi qytetarë të jenë parime bazë që udhëheqin politikat e Qeverisë në këtë fushë.

Në studimet tona të më hershme, kemi ofruar argumente se si monopoli në homologimin e veturave përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Aty gjithashtu kemi konstatuar së në asnjërën nga vendet e rajonit nuk ka monopol në homologim dhe se qytetarët e Kosovës paguajnë çmimet më të larta në rajon për këtë shërbim.

Organizatat tona kanë reaguar edhe ndaj Udhëzimit të ri Administrativ i cili synon të ruajë këtë monopol. Gjatë procesit të konsultimit publik, kemi përcjellë rekomandimet tek Ministria e Infrastrukturës, duke e paralajmëruar se ky Udhëzim Administrativ shkel Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Komentet e njëjta janë dorëzuar edhe në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, e cila më 22 dhjetor 2017 dha mendimin e saj profesional për Udhëzimin Administrativ të lartpërmendur, mendim i cili ishte plotësisht në përputhje me rekomandimet tona. Të gjeturat tona janë konfirmuar edhe nga zyra e BE-së dje në prezantimin para anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës.

Gjithashtu, duhet vënë në vëmendje të publikut që procesi i homologimit aplikohet edhe ndaj makinave të reja që kanë origjine vendet e Bashkimit Evropian dhe ndaj të cilave standardet e çertifikimit të përshtatshmërisë së tyre për tregun Evropian janë të garantuara. Duke njohur që Kosova në procesin e homologimit aplikon vetëm ato standarde që kanë burim Bashkimin Evropian apo/dhe vendet individuale që janë pjesë e tij, mbetet për t’u habitur se cila është arsyeshmëria e ri-çertifikimit të përshtatshmërisë së këtyre automjeteve për të operuar në tregun e Kosovës. Kjo, jo vetëm që është barrier e dukshme jo-tarifore, kundër MSA-së por edhe tallje me qytetarët e Kosovës.

Instituti GAP dhe GLPS i rikujtojnë Qeverisë së Kosovës dhe Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj që Kosova ka zgjedhur të orientojë ekonominë e saj në modelin e ekonomisë së lirë ku interesi i qytetarëve mbetet element qenësor i vlerësimit të përshtatshmërisë së ndërhyrjes së shtetin në rregullimin e saj. Thënë këtë, GAP dhe GLPS vlerësojnë që favorizimit mbi baza klienteliste dhe garantimi i monopolit të një kompanie në fushën e homologimit duhet të përfundojë menjëherë.