I palodhur në angazhimin për dokumentimin e krimeve të luftës, Bekim Blakaj me drejtimin e Fondit për të Drejtën Humanitare, arriti që të memorializojë e të gdhendë në historinë e re të Kosovës, numrin e personave që u vranë e të atyre që u zhdukën. Atë që la lufta, Blakaj e vendosi në një fletë të bardhë që e quajti “Libër Kujtimi i Kosovës”, në të cilin do të mbesë e pashlyeshme historia e viktimave. Aktivist, humanist e shpresëdhënës janë epitetet që ia japin miqtë kur flasin për të, e angazhimin e tij të pashoq për të drejtat e njeriut, të njerëzve që s’janë më
Artikull i sponsorizuar - Qelia e burgut të cilën e provoi padrejtësisht ia dha kahen rrugëtimit të tij jetësor në një mision fisnik, që nis e përfundon në kërkim të drejtësisë. Por jo për vete.
Është gati krejt e rastësishme se si një djalë i ri me ambicie që t’i shërbejë fushës së menaxhmentit, iu vesh një aktivizmi të pashoq për të drejtat e njeriut.
Profesioni që mëtonte ta praktikonte mori pikën e kthesës, kur si student, gjatë periudhës së luftës, Bekim Blakaj ra në burg bashkë me cimerët e tij.
Akuzoheshin për përgatitje të veprës terroriste kundër shtetit të Serbisë.
“Në tetor të vitit 2000 jam liruar nga burgu, dhe kam shkuar, këtu ishte në Zyrën e Prishtinës në Fondin për të Drejtën Humanitare zonja Natasha Kandiq, e kam kuptuar që është në Prishtinë dhe kam shkuar t’i falënderohem për ndihmën që na e ka ofruar, duke na paguar edhe avokatë dhe me shumë çështje të tjera. Dhe, gjatë takimit tonë një bisedë goxha të gjatë gati dyorëshe, në fund të bisedës ajo veç më pyeti, më tha: A kishit punuar për Fondin për të Drejtën Humanitare. Unë kam studiuar krejt tjetër, kam studiuar menaxhmentin, s’kam qenë jurist dhe thjesht s’kam menduar shumë gjatë dhe i kam thënë, po!. Pa e ditur në detaje se çka kam për të punuar”, thotë Blakaj
Blakaj iu bashkua Fondit për të Drejtën Humanitare në fund të vitit 2000. Pas disa vjetësh do ta merrte drejtimin e tij në Kosovë, e për gati një çerek shekulli aty do të kryente punën që se bënë institucionet.
Por, barra që mori mbi supe s’qe aspak e lehtë.
Pa përvojë e pa trajnime profesionale paraprake, Blakaj iu bashkua një organizate me një numër të vogël njerëzish, insistimi i të cilëve nuk njihte refuzim e këmbëngulja e tyre do të kalonte pengesat e panumërta për mbledhjen e fakteve e dëshmive të atyre që lufta i goditi egërsisht.
“Edhe pse jemi një ndër familjet më të dëmtuara në Kosovë prej luftës së fundit që ka ndodhë, Fondi për të Drejtën Humanitare na ka dhënë një mbështetje, ka punuar, ka dokumentuar. Falë iniciativës dhe punës së tyre janë gjetur njerëzit që e kanë kryer këtë masakër dhe janë dënuar. Me punën e tyre, në bashkëpunim me ne, d.m.th kjo është një gjë që ata e kanë bërë për ne, që ne nuk mundemi t'ua kthejmë dhe do t’u jemi falënderues tërë jetën, për punën e fondit e personalisht të Bekim Blakajt”, thotë Betim Berisha, anëtar i familjes Berisha në Suharekë”.
I palodhur në angazhimin për dokumentimin e krimeve të luftës, Blakaj me drejtimin e Fondit për të Drejtën Humanitare, arriti që të memorializojë e të gdhendë në historinë e re të Kosovës, numrin e personave që u vranë e të atyre që u zhdukën.
Identifikuan të vrarët e i klasifikuan në civilë e të uniformuar. Objektivisht e ndanë edhe aspektin e etnisë.
Në shifra e me emra u dokumentuan edhe personat e zhdukur me forcë.
Organizata që ai drejton ka regjistruar me hollësi fëmijët që u vranë. Po ashtu, kanë evidentuar me emra e mbiemra edhe trupat e njomë që s’u gjetën kurrë.
Ajo që la lufta, do të vendosej në një fletë të bardhë që do të quhej “Libër Kujtimi i Kosovës”, në të cilin Blakaj e stafi i tij bënë të mundur për të shkruar pashlyeshëm historinë e të gjithë viktimave të luftës.
Përpjekja titanike për të lënë pas një trashëgimi të tillë u përcoll me brengën se mos keqkuptohej misioni i tyre te familjarët e viktimave.
“Një ndër çështjet kryesore ka qenë që të mos i ngremë në asnjë mënyrë pritjet e tyre nga ne. Ne këtë punë e kemi bërë për t’i dokumentuar viktimat, për ta publikuar libër kujtimin e Kosovës dhe secilit ia kemi bërë të qartë që kjo është puna jonë. Nuk jemi kompetentë për gjetjen dhe zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre e kështu me radhë. Nuk jemi kompetentë që t’u ndihmojmë në ndonjë rrethanë tjetër”, thotë Blakaj duke shprehur drojën që kishte.
Pos krijimit të narracionit mbi atë se çka ndodhi gjatë luftës në Kosovë, Fondi përgatiti edhe një mori kallëzimesh penale që i drejtoi në institucione të drejtësisë, brenda e jashtë vendit.
“Rastet ku jemi ndier jashtëzakonisht mirë, jashtëzakonisht krenarë, janë rastet kur në bazë të kallëzimeve penale që ne i kemi bërë janë iniciuar gjykime në Serbi dhe janë dënuar disa përgjegjës. Edhe pse, kurrë nuk kemi qenë të kënaqur me aq sa të lartë e kanë marrë dënimin ata që janë përgjegjës”, thekson ai.
Por, në funksion të sjelljes së drejtësisë për viktimat, Blakaj thotë se është fort i zhgënjyer.
“Ne jemi të zhgënjyer dhe të demotivuar shumë shpesh sepse e pyesim veten se çfarë kemi bërë? Për pothuajse një të katërtën e shekullit jemi duke punuar dhe nuk ka ndonjë progres”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, dorëzimin s’e ka opsion.
Kapërcimi i sfidave nga jeta profesionale sipas bashkëpunëtorëve të tij, e ka bërë Bekimin ta sfidojë edhe durimin.
“Gjithmonë problemet dhe pengesat i kemi zgjidhur me mirëkuptim dhe ai gjithmonë është i kuptueshëm... Nuk është një person temperament, është person i qetë i kujdesshëm dhe mendoj që i mat fjalët kur është në takime në biseda, qoftë me stafin apo me persona të tretë”, thotë Amera Alija, koleg i tij i punës në Fondin për të Drejtën Humanitare.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur me Forcë, e çmon lart angazhimin që Bekimi ia kushtoi dokumentimit e drejtësisë tranzicionale, çështje këto sa humane aq edhe jetike për të ardhmen e shoqërisë.
“Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet në kuptim të sigurimit të të dhënave, trajtimit të të dhënave dhe adresimit edhe me realizimin e gërmimeve vlerësuese, gjithmonë në përpjekje që të reflektohet e drejta e familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre. Dhe, në këtë përpjekje pashmangshëm që është për tu vlerësuar bashkëpunimi me të gjithë partnerët, përfshirë në këtë rast edhe aktivistë, edhe zotin Blakaj, por edhe zyrtarë të Fondit për të Drejtën Humanitare. Është një përpjekje që ka ndodhur në vazhdimësi gjatë këtyre 24 vjetëve”, thotë Gara.
Në disa raste puna e Blakajt u bë referencë për institucionet e Kosovës për gërmimin e disa lokacioneve, ku dyshohej për trupat e personave të zhdukur në luftë.
"Ka edhe me dhjetëra lokacione, që disa prej të dhënave janë përdorur qoftë edhe për të iniciuar si rast apo për të plotësuar rastin që është iniciuar nga institucionet e Republikës së Kosovës”, shton Gara.
Ndjenja e nderimit për të e punën e tij, do ta merrte notën më të lartë te familjarët e viktimave, që s’bëjnë kompromis në vlerësimin se virtytet e Blakajt s’gjenden te një njeri i dytë.
“Në raportet e mia që i kam pasur është e vështirë ta kuptosh se a është zyrtar apo është shok, pa marrë parasysh me kë ka qasje. Ka një veti të paanshmërisë, do të thotë komunikon shumë lirshëm, pranon kritika, jep përgjigje, adreson çështje. Bekim Blakaj për mua është një punëtor, një aktivist, një humanist, një shpresëdhënës, një frymëzues që kushdo që mund të ketë pasur kontakt me të besoj që e ndan mendimin tim”, thotë Lush Krasniqi që lufta e fundit në Kosovë ia mori dy vëllezërit dhe babanë.
Betimi nga Familja Berisha së cilës iu vranë 49 anëtarë në luftë, thotë se aty ku nuk e gjeti përkrahjen e shtetit, u mbështet te Blakaj.
"Është njeri shumë i afërt, i përkushtuar dhe është marrë me zell e ka bë atë punë. Plotësisht ka qenë i përkushtuar në dhimbjen dhe brengat tona. Ndoshta ka qenë pse në atë kohë kur e kam njoftuar kam qenë më i riu në pjesën e familjes që kemi pas kontakte me të. Mua vazhdimisht më ka ofruar, ka qenë shumë i afërt, më ka këshilluar për jetën, ka qenë njeri shumë serioz dhe gjithmonë na ka dhënë motiv për të jetuar, pavarësisht se çka na ka ndodhë, na ka dhënë një mbështetje që Qeveria është dashtë me na e dhanë”, deklaron ai.
Kufiri mes personales e profesionales në aspektin e gërmimit të historisë është zhbërë qyshkur për Blakajn.
Rrëfimet që do t’i dëgjonte gjatë punës së tij, përveç që nuk do t’i harronte, do t’i kthente në kambanë për përmbushjen e një detyrimi: atij që e ka marrë me dëshirë e s’e braktis dot.
“Jam ballafaquar me rrëfime jashtëzakonisht të rënda, me përjetime të rënda të familjarëve të personave që i kam intervistuar. Dikush që ka qenë dëshmitar okular i vrasjes së familjarëve të vetë, të fëmijëve të vetë, kjo është jashtëzakonisht e rëndë dhe është një traumë për ata persona e cila pastaj kalon edhe tek ai që e bën intervistën. Respektivisht ka ndikuar tek unë, pra unë nuk mundem kurrë t’i harroj këto rrëfime. Mirëpo siç e thashë unë jam mësuar të bashkëjetoj me këto rrëfime. Nuk mund të them që kam mundur ta marr dhimbjen e tyre por sigurisht që e përjetoj si çdo person dhe bashkëndjen e krijon atë bashkëndjenjën, empatinë me familjen e viktimave”, shprehet Blakaj.
Lush Krasniqi, i mbijetuari i masakrës së Mejës, thotë se po të mos ishte Blakaj e angazhimi i stafit të Fondit për të Drejtën Humanitare, pasojat e luftës, aspekti i reparacioneve e ai drejtësisë tranzicionale do të mund të ishin të panjohura për familjet e viktimave.
“Thënë të drejtën, më dhimbset Bekimi, më dhimbset. Arsyeja është shumë e qartë, shumë e thjeshtë shumë shpirtërore, sepse të jetosh me rrëfimet e familjarëve, të kesh edhe brengat e tua, t'i kesh përjetuar edhe vetë është gjendje shumë e rëndë shpirtërore. Prandaj mua më dhimbset që është në një lëmë të tillë, në një punë të tillë, në një aktivitet të tillë, që ai me siguri gjithmonë do të jetë i stresuar, i mërzitur, duke bartur mbi supe, mbi ndjenja, mbi shpirtin, mbi mendjen e tij të gjitha këto rrëfime që janë të papërshkrueshme, të njerëzve që janë viktimizuar në luftën e fundit të Kosovës. Mirëpo për të qenë një njeri, për të qenë tamam në kuptimin njeri, duhet të vuash shumë, duhet të përjetosh shumë”, vlerëson ai.
E vërteta e hidhur është ajo që Blakajn shpesh e ka vënë para dilemave morale, ku për mirëqenien e familjarëve të viktimave nuk do të lejonte të rrëmbehej nga ndjenjat.
“Një zotëri i vjetër nga një fshat i Komunës se Gjakovës erdhi në zyrë tek ne, ishte jashtëzakonisht i emocionuar, ishte diku viti 2002 ndoshta dhe kuptuam që ai kishte shitur tokë, shumë tokë, i kishte dhënë dikujt që i ka premtuar që do t’ia nxjerrë djalin nga një kamp sekret diku në Mal të Zi. Mua ma solli atë një avokat nga Gjakova, tha ky ka dhënë shumë të holla dhe ende po beson që e ka djalin e gjallë diku në Mal të Zi. Kam biseduar gjerë e gjatë me të dhe thoshte nuk po ma blen më kush tokën që më ka mbetur, sepse unë do të jepja ende para”, tregon Blakaj, tek vazhdon rrëfimin sikur duke u ndier keq nga fundi i tij.
“Erdha në pozitë që t’i them që të mos japë sepse ka kaq, pra më shumë se dy vjet që nuk ka rast që dikush është gjetur i gjallë në ndonjë burg. Pra, m’u desh t’i them që djali i tij mund të mos jetë gjallë, të mos japë të holla. Jam ndier shumë keq, sepse në sytë e tij e pashë një lloj zhgënjimi qysh është e mundur që unë po i them diçka të tillë për djalin e tij. Ai e kishte domethënë në mendjen e tij se është gjallë diku sigurisht. Mirëpo të them tash, “për fat të mirë” ndoshta s’kanë kaluar edhe 6 muaj dhe u identifikuan mbetjet e trupit të djalit të tij dhe pastaj u pajtua me fatin që ai është i vdekur”, tregon ai.
Në udhëheqjen e Fondit për të Drejtën Humanitare, Blakaj shfrytëzoi goxha shumë nga profesioni që e braktisi.
Kolegu i tij i punës, Amer Alija, thotë se sjellja e tij fisnike s’ka lënë gjasa e as hamendje që të mendohet ikja nga ky mision.
“Ne në fond kemi edhe punëtorë që kanë punuar më shumë se 20 vjet në dokumentimin e krimeve të luftës. Unë, të themi me përvojë 11-vjeçare, mund të jem një punëtor mesatar në krahasim me përvojën të cilën e kanë punëtorët në këtë organizatë dhe sigurisht që sjellja e mirë me punëtorët ka ndikuar që stafi të mos ndërrohet shpesh”, thekson Alija.
Për jetën profesionale, Blakaj nuk ka asnjë pendesë.
Edhe një herë po ta niste prej fillimi, sërish do të zgjidhte njësoj.
“Unë jam i lumtur që kam përfunduar në këtë fushë. Ia di kuptimin jetës”, përfundon Blakaj.
“Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, që zbatohet nga Integra dhe mbështetet nga Fondi për Zhvillim Komunitar - CDF dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë.”
Përgatiti
Marigona Brahimi