Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës e kanë në dorë mundësinë që të mos e turpërojnë institucionin që e përfaqësojnë.
Këshilltarja ligjore rezidente e Ambasadës amerikane, Lana Morton Owens, në një intervistë për Kohën Ditore, ka thënë se ata, përveçqë janë tërhequr nga procesi i zgjedhjes së kryeprokurorëve, janë tërhequr edhe nga procesi i zgjedhjeve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial.
“Ne kemi parë që korniza ligjore lejon që anëtarët e Këshillit Prokurorial të bëhen kryeprokurorë dhe kryeprokurorët të bëhen anëtarë të Këshillit Prokurorial. Edhe nëse teknikisht kjo nuk paraqet konflikt interesi, duket si ndërhyrje. Ne nuk mund të marrim pjesë në procese që mendojmë që nuk ka shanse të jenë të bazuara në meritokraci dhe të mos këtë interferime politike ose të tjera ndërhyrje”, ka thënë Lana Morton Owens.
Ka folur edhe për procesin e Rishikimit Funksional, i cili ende nuk është përfunduar e që do ta adresonte edhe mënyrën se si zgjidhen anëtarët e KPK-së e kryeprokurorët. Raporton KOHA.
Ajo ka thënë se para se të zgjidhen kryeprokurorët e anëtaret e rinj të KPK-së, korniza ligjore është vonë të ndryshohet, por s’është vonë që anëtarët e KPK-së të tregojnë integritet.
“Nuk mendoj që ka kohë për t’i ndryshuar kornizat ligjore, mirëpo besoj që ka gjithmonë kohë për të pasur integritet dhe mendoj se është e rëndësishme që prokurorët që po ashtu kanë përgjegjësi dhe si ish-prokurore e di këtë përgjegjësi dhe e di që kërkon shumë kurajë për të pasur integritet, por i njoh anëtarët e KPC dhe e besoj se e di që e kanë këtë kapacitet. Po ashtu besoj që të gjithë kryeprokurorët, në fakt të gjithë prokurorët, e kanë aftësinë për të pasur integritet. Vetëm duhet të kenë guxim që ta bëjnë këtë”, ka shtuar ajo.
Ndërsa nuk ka pranuar të flasë për procesin e zgjedhjes së Aleksandër Lumezit, pasi ka thënë se kanë bashkëpunim të mirë.
“Mendoj se tani është krijuar mundësia që të sigurohemi që zgjedhja e kryeprokurorit të ardhshëm të shtetit të mos shoqërohet me thashetheme të tilla. Kjo në mënyrë që të mos duket se diçka nuk është si duhet. Arsyeja qëndron te fakti se edhe përshtypja që diçka s'është në rregull për publikun ka po aq rëndësi sa edhe në rastet kur një gjë e tillë ndodh vërtet. Shkaku është se publiku reagon ndaj asaj që e sheh. Për këtë arsye do t'i nxisja anëtarët që ta kenë integritetin të cilin e meriton ky proces”, është shprehur Lana Morton Owens.
Ajo ka vlerësuar edhe hapat pozitivë që janë bërë në sistemin prokurorial në Kosovë.
Ka përmendur kornizën e mirë ligjore në disa fusha, mënyrën se si KPK-ja ka bashkëpunuar për procesin e Rishikimit Funksional, mënyrën se si ka ndërruar vlerësimi i performancës për prokurorët, e për iniciativën e fundit të Prokurorisë Speciale për profilizim të prokurorëve.
Intervistën e plotë të zyrtares së Ambasadës amerikane mund ta lexoni në numrin e së mërkurës në Koha Ditore.