Arbëri

Pesë anëtarë të KPK-së: Deklarimet e disa anëtarëve të Këshillit se janë kërcënuar, të pavërteta

kpk

Pesë anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës në një deklaratë të përbashkët kanë thënë se janë të pavërteta deklarimet e disa anëtarëve të Këshillit se kanë qenë subjekt i kërcënimeve gjatë zhvillimeve të fundit në këtë institucion.

“KPK deklaron se janë tërësisht të pavërteta dhe të pabazuara deklarimet e disa anëtarëve të Këshillit se kinse kanë qenë subjekt i “kërcënimeve” gjatë zhvillimeve të fundit në institucion. Asnjë fakt, provë apo element objektiv nuk është paraqitur për të mbështetur pretendime të tilla”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet se nëse ekziston dyshim i bazuar për ndonjë kërcënim, obligim ligjor dhe institucional është që i njëjti të raportohet menjëherë pranë organeve kompetente të sigurisë, e jo të publikohen deklarata të cilat mund të krijojnë perceptim të rremë, të deformojnë realitetin dhe të dëmtojnë para opinionit publik reputacionin e Këshillit Prokurorial të Kosovës si institucion kushtetues.

“Takimi i KPK-së ka qenë plotësisht i hapur dhe transparent dhe është zhvilluar në prani të publikut dhe mediave. Katër anëtarë të Këshillit, përfshirë Ushtruesin e Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kanë zgjedhur ta braktisin takimin me vullnetin e tyre, pa pasur asnjë kërcënim apo presion nga ndonjë anëtar tjetër i Këshillit. Çdo anëtar i KPK-së gëzon pavarësi funksionale dhe imunitet në ushtrimin e detyrave, siç përcaktohet me Kushtetutë dhe legjislacionin relevant. Për këtë arsye, deklarimet që aludojnë në presione ose kërcënime ndaj anëtarëve janë të papranueshme, të pajustifikuara dhe të pambështetura në ndonjë fakt juridik apo procedural”, thuhet në njoftim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka theksuar se do të caktojë së shpejti një takim të jashtëzakonshëm për këtë çështje dhe garanton publikun e gjerë se do të mbetet i përkushtuar tërësisht në përmbushjen e mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, pavarësisht sfidave dhe përpjekjeve të kujtdo për të penguar këtë synim.

Presidentja e Kosovës,  Vjosa Osmani, sot gjatë ditës ka thënë se shprehë shqetësimin në lidhje me deklaratat e disa anëtarëve të KPK-së, të cilët në konferencën për media patën thënë se ndihen të pasigurt dhe kishin ftuar Policinë e Kosovës për t’i siguruar, dhe po në të njëjtën ditë kishin bërë thirrje edhe Agjencisë se Kosovës për Inteligjencë për të parë se çka është duke ndodhur brenda KPK-së.

Më 20 nëntor, pesë anëtarë të KPK-së miratuan propozimin për shkarkim nga detyra e ushtruesit të Kryeprokurorit, Besim Kelmendit.

Anëtarët e Këshillit kanë vendosur që ushtrues detyre i Kryeprokurorit të caktohet prokurori Agron Çalaj.