Arbëri

Zyrtari i ASHNA-s pretendohet se u pagua pa dalë në vend pune, Policia nis hetimet

Policia e Kosovës e ka konfirmuar nisjen e një hetimi parapenal në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Në Policinë e Kosovës kanë thënë se rasti është në hetim fillestar, andaj nuk mund të japin informacione shtesë lidhur me rastin.

KOHA e ka siguruar një kërkesë për informacion të policisë drejtuar ASHNA-s, që mban edhe një vulë protokolli të kësaj të fundit.

Në këtë dokument kërkohen informacione lidhur me një zyrtar për periudhën korrik 2020 deri në gusht 2021.

Ndër to janë pozita që e ka mbajtur në ASHNA, detyrat e përgjegjësitë e tij, si dhe nëse ka qenë me trajnim jashtë vendit dhe në cilën formë është financuar trajnimi nëse e ka ndjekur një të tillë.

E burime të KOHËS kanë thënë se zyrtari i lartë i ASHNA-s, për të cilin ka pyetur policia, në të shumtën e kohës nuk ka qenë në vendin e punës gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, por jashtë vendit, ku, sipas tyre, edhe ka punuar.

Sipas këtyre burimeve, gjatë kohës së masave kufizuese të COVID-19, ai ka qenë i liruar nga dalja në punë për shkaqe shëndetësore.

KOHA e ka pyetur drejtorin e atëhershëm, Bahri Nuredini, për praninë e zyrtarit jashtë vendit, nëse i është reduktuar paga dhe nëse e gjithë puna që e ka në përgjegjësi mund të bëhet pa dalë në vendin e punës.

Nuredini ka thënë se nuk e di rastin, duke u arsyetuar se tashmë e ka përfunduar mandatin.


“Nuk jam në dijeni në lidhje me ketë çështje, më 1 korrik 2021 e kam përfunduar mandatin e drejtorit të ASHNA-s”, tha Nuredini.

Në pyetje të ngjashme, si dhe lidhur me kërkesën e policisë, drejtori aktual i ASHNA-s, Samir Bllacaku, nuk është përgjigjur konkretisht.

Ky i fundit e ka konfirmuar se vula e protokollit është e ASHNA-s. Ndërsa, për atë që e ka quajtur rrjedhje të informacioneve nga institucioni që udhëheq, ka paralajmëruar hetim të brendshëm.

Bllacaku e ka lutur redaksinë që ta lërë ta bëjë hetimin e brendshëm, derisa nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me zyrtarin e lartë.

“Këto dokumente që ju i keni dërguar janë dokumente që mbajnë vulën nga protokolli ynë i arkivit, që i bie se janë dokumente interne. Në Polici e kemi dërguar lëndën dhe na kanë konfirmuar që nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për qasje në dokumente publike nga askush për këtë çështje. Na lini ju lutem ta investigojmë tutje rrjedhjen e këtyre dokumenteve. Për më shumë, ju lutemi pyetjet e juaja i dërgoni me email ashtu siç ju kemi udhëzuar në mesazhin e kaluar”, tha Bllacaku.

Zyrtari që përmendet në shkresën e Policisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.