Zyrat e deritashme të KQZ-së në veri nuk do të shfrytëzohen për përgatitjen e procesit të votimit për largim të kryetarëve. Ato ose janë të demoluara, ose nën dry. Zyrtarët zgjedhorë do ta kryejnë punën nga objektet e komunave, ku janë ndarë zyra për ta
Në zyrën e vjetër në Mitrovicë të Veriut, të demoluar tërësisht nga sulmi me eksploziv një vit më parë, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) u kthyen të mërkurën.
Në ballë të ndërtesës disakatëshe ku ndodhet zyra, është i vendosur flamuri i Serbisë. Nga jashtë nuk ka ndonjë shenjë të shtetit të Kosovës.
Xhamat e dritares janë të thyer e dera me dry, deri të mërkurën para mesdite kur është thyer nga autoritetet.
Nga brenda, zyra është tërësisht e demoluar. Karrige e tavolina janë vendosur një mbi një në një çosh, ndërsa inventari tjetër dhe shtëpiza kompjuterësh janë të shpërndarë në mënyrë të paorganizuar në zyrë. Pluhuri i ka mbuluar të gjitha.
Diku shihen edhe ca dokumente, që përmbajnë edhe logo të shtetit të Kosovës dhe të KQZ-së.
Disa nga gjësendet në zyrë, zyrtarët i mblodhën për t’i dërguar në një zyrë tjetër – në Komunën e Mitrovicës Veriore. Në zyrën numër 4 në këtë objekt do të bëhen përgatitjet për procesin e votimit për shkarkimin e kryetarit të Komunës, që do të organizohet më 21 prill.
Votimi do të mbahet pasi serbët organizuan suksesshëm peticionin, pas të cilit kanë fituar të drejtën që ta shkarkojnë kryetarin që ka marrë pushtetin në zgjedhjet e fundit të parakohshme, që u bojkotuan nga serbët. Zgjedhjet u mbajtën, meqë kryetarët e deriatëhershëm, si edhe serbë të tjerë të veriut dhanë dorëheqje nga institucionet qendrore dhe ato lokale, në shenjë kundërshtimi të politikave të Qeverisë në raport me shtrirjen e autoritetit kushtetues edhe në këtë pjesë që mban lidhje të forta me Serbinë dhe që ia lufton pavarësinë Kosovës.
E, në kuadër të masave për të mos lejuar të zgjidheshin kryetarët e rinj, serbë të veriut kryen edhe sulme me bomba, përfshirë atë në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicë të Veriut.
Ekipi i KQZ-së pasi vizitoi zyrën e shkatërruar në këtë komunë, u nda në dy pjesë. E, nën përcjellje të policisë, njëri grup u nis për në Leposaviq e tjetri për në Zubin-Potok.
Brenda objektit komunal të Zubin-Potokut, aty ku do të zhvendoset zyra e KKZ-së, nuk u lejua të merren pamje. Ndërkaq, në asnjërën komunë, zyrtarët e KQZ-së nuk pranuan të flasin. Por jozyrtarisht thanë se tashmë në objekte të tri komunave janë caktuar zyrat, nga ku do të bëhet organizimi i votimit për largimin e kryetarëve. Kësisoj, përveç në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Zubin-Potokut, zyrtarët e KKZ-ve do të vendosen edhe në Leposaviq. Ndërkaq në pritje të vendimit janë edhe për të shfrytëzuar objektin e Komunës së Zveçanit.
Në dy objekte, atë të Komunës së Zveçantit dhe të Zubin-Potokut nuk ka zyrtarë komunalë. Kryetarët, që nga tensionet e vitit të shkuar, funksionin e kryejnë nga zyra alterative që ndodhen në fshatra.
Ndryshe është situata në Mitrovicë të Veriut e Leposaviq, ku përkundër kundërshtimeve, veçanërisht në Leposaviq, kryetarët vazhduan të qëndrojnë në objektet komunale.
Objekti i KKZ-së në Mitrovicë të Veriut u sulmua me granatë dore në dhjetor të vitit 2022. Për këtë sulm i arrestuar është ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, dhe ndaj tij ka masë të arrestit shtëpiak.
Të dielën e fundit të prillit, në katër komunat në veri: Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok e Mitrovicë e Veriut do të mbahet votim për shkarkimin e kryetarëve që nuk i takojnë komunitetit serb. Nëse ky proces rezulton i suksesshëm duke votuar pro largimit së paku gjysma e trupës elektorale plus një votues, në këto komuna do të shpallen zgjedhjet e parakohshme.