Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka kujtuar “mësimet e marra” nga lehtësimi dhe ndërmjetësimi në proceset paqësore mes vendeve në botë, duke i rekomanduar ato për dialogun Kosovë-Serbi. Në një postim në Facebook, kjo ambasadë ka publikuar një letër të ambasadorit Jean-Hubert Lebet me të cilën ishte shprehur në një tryezë politike pas Samitit të Berlinit në fund të prillit të 2019-s.
Aty Zvicra kishte dhënë rekomandimet e saja, ndërsa në një postim të fundit, i ka kujtuar ato “vija të kuqe”.
Sipas Zvicrës, ideja për ndryshim të kufijve nuk funksionon, nuk duhet të ketë marrëveshje të detyrueshme e pa besim të ndërsjellë, procesi për arritjen e paqes duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, e nënshkrimi nuk është çështja kyçe, por implementimi i marrëveshjes bën dallimin.
Sa i përket idesë së ndryshimit të kufijve, Zvicra kishte thënë se “nuk kemi as edhe një shembull në histori kur ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve ka mundësuar paqe të qëndrueshme dhe normalizim mes ish-armiqve”. Në këtë deklaratë, Lebeti kishte shtuar se një ndryshim i kufijve mund të komplikonte edhe më shumë situatën e do të ishte kërcënim për stabilitetin rajonal.
Zvicra po ashtu ka konsideruar se “një rregullim i shpejtë” nuk sjell stabilitet të gjatë.
Ky shtet kishte thënë po ashtu se duhet të ketë përkrahje gjithëpërfshirëse nga akterët e vendit dhe duhet të ketë përkrahje ndërkombëtare për implementimin e marrëveshjes.