Projekti i rrugës me katër shirita në qytetin e Lipjanit, i nisur në vitin 2012-2013, me buxhet nga Ministria e Infrastrukturës ka nxitur debate dhe akuza mjaft të ashpra ndërmjet pozitës dhe opozitës në këtë komunë.
Qëndrimet e komunës së Lipjanit se ky projekt është një problem i trashëguar prej ish-qeverisjes së kaluar, ka nxitur sërish PDK-n, të mërkurën, për të sqaruar se ky projekt është duke u zvarritur nga qeverisja aktuale prej më shumë se gjashtë vjetësh.
“Zëdhënësi i komunës së Lipjanit ka reaguar pas konferencës sonë lidhur me projektin e rrugës me katër kursi. Ne deklarojmë se në kohën kur është iniciuar projekti sipas paramanave ka pasur hapësirë të mjaftueshme për një rrugë me katër kursi, mirëpo ndërkohë janë vendosur disa terrasa të bizneseve që menaxhohen nga njerëzit e afërt të ekzekutivit, prandaj qëllimi kryesor është që bizneset e tyre mos të dëmtohen. Ne deklarojmë se para pak kohësh PDK-së i është mohuar e drejta për qasje në dokumente zyrtare lidhur me këto projekte”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas këtij subjekti opozitar, ky projekt është bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës, ndërkohë ekzekutivi aktual në Lipjan ka provuar ta ndërrojë destinimin për ta bërë këtë rrugë me tre shirita, mirëpo ministria e Financave nuk e ka pranuar një gjë të tillë, andaj sipas PDK-së, qeverisja e LDK-së nuk e ka problem pse ngushtohet një rrugë kaq me rëndësi, vetëm që mos t’i dëmtohej dikujt një turrasë biznesore.
“Komuna i ka militantët e vetë aty të cilët ua kanë financuar fushatën zgjedhore. Ky është një keqmenaxhim dhe keqpërdorim i parasë publike sepse po e detyroni kompaninë fituese të këtij projekti t’i marrë paratë e këtij projekti përmes gjykatave dhe përmbaruesve. Pra, qytetarët e Lipjanit tashmë e kanë kuptuar se ky projekt ka dështuar për shkak të interesave të ngushta ndërmjet kryetarit të komunës dhe disa bizneseve të caktuara”, thuhet midis të tjerash në komunikatën e PDK-së.
Në anën tjetër zëdhënësi i Komunës, Diamant Bytyqi pati thënë se ky projekt është një problem i trashëguar prej ish qeverisjes së kaluar. Sipas tij, Komuna ka planifikuar 100 mijë euro nga buxheti vetjak për përfundimin e këtij projekti sepse disa konteste pronësore e kanë pamundësuar zhvillimin e punimeve.
“Ndërkaq, çdo kush që kërkon qasje në dokumente mendojmë publike i ofrohet dhe nuk kemi as një rast që dikujt i është refuzuar një kërkesë e tillë”, ka thënë shkurt Bytyqi.