Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se nuk ka arsye që Kosova të dalë nga platforma ku ndodhen të gjithë, duke iu bashkëngjitur “Ballkanit të Hapur”.
Zulfaj ka thënë në “DESKU” të KTV-së se katër liritë që propagandon “Ballkani i Hapur” janë në tregun e përbashkët rajonal.
“Nuk është se ne jemi të mbyllur karshi bashkëpunimit rajonal, ideja është se disa vende të Ballkanit Perëndimor duan të dalin nga platforma ku jemi të gjithë së bashku në Procesin e Berlinit dhe në tregun e përbashkët rajonal, dhe të krijojnë iniciativë paralele e cila i bën rivalitet tregut të përbashkët rajonal e në të cilat ata mendojnë se mund të ecin vetë përpara. Ne të gjithë jemi bashkë në tregun e përbashkët rajonal. “Ballkani i Hapur” është ide që nga Trieshta e presidentit Vuqiq si union doganor që u pat prezantuar e që atë kohë u pat refuzu, pastaj u rikthye si Mini-Schengen në 2019, tash si “Open Ballkan” por secilën herë u pat refuzuar nga BE-ja dhe për ne është e paarsyeshme pasi katër liritë që propagandon “Ballkani i Hapur” i kemi në tregun e përbashkët rajonal. Nëse duam t’i integrojmë vendet tona para anëtarësimit në BE, tashmë e kemi platformën. Nuk ka arsye që ne të dalim nga platforma ku jemi të gjithë së bashku, me problemet tona, në mënyrë që të ikim nga problemet tona”, ka thënë Zulfaj.