Arbëri

Zjarri dëmton shtyllat elektrike, lë në terr Hajvalinë e Graçanicën

Hajvalia e Graçanica janë në terr që nga ora 14:00, për shkak të zjarrit që ka dëmtuar sot disa shtylla elektrike në Graçanicë.

Këtë e ka bërë të ditur një qytetar nga Hajvalia për KOHA-n, i cili thotë se zjarri ishte ndezur rreth orës 13:00.

“Gjatë ditës së sotme rreth orës 13:00 dikush ka ndezur një zjarr në Graçanicë dhe zjarri ka përfshirë edhe disa shtylla elektrike. E rreth orës 14:00 Hajvalia e Graçanica janë në terr. Në terren kanë qenë Policia dhe zjarrfikësit, dhe është shuar zjarri, porse ne jemi pa rrymë”, ka thënë një qytetar për KOHA-n.

E edhe KEDS-i përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se, “si pasojë e zjarrit të vënë nga persona të papërgjegjshëm, janë shkaktuar dëme në daljet Graçanica 1, Graçanica 2 dhe dalja Hajvalia”.

KEDS-i thotë se janë duke u munduar që sa më shpejtë të stabilizojnë situatën.

“Si pasojë shumë shtylla elektrike janë dëmtuar së bashku me përçues dhe Largëpërçuesin 35kV që furnizon daljen Badovci, prandaj KEDS me ekipe shtesë po e menaxhon situatën duke u munduar që sa më parë të stabilizojë gjendjen”, thuhet në komunikatë. “poashtu dy fshatra në Mitrovicë (Maxhera dhe Dedi) pikërisht për shkak të zjarrit po përballen me mungesë të energjisë elektrike”.

Tutje KEDS-i shton se, “një gjest i tillë përpos që ka dëmtuar asetet tona, ka shqetësuar dhe lënë pa energji elektrike konsumatorët teksa të gjithë po përballi me COVID19, megjithatë ne kërkojmë nga konsumatorët mirëkuptim, ngase situate të tilla janë të paparashikueshme”.

Image