Arbëri

Zgjedhjet në veri, kandidatët për kryetarë synojnë fitoren me vizita derë më derë

Fushata elektorale për kryetarë të komunave veriore në zgjedhjet e jashtëzakonshme, është duke u zhvilluar me intensitet të ulët. Kandidatëve u kanë mbetur edhe pesë ditë deri në përfundim të fushatës dhe ata thonë se atë po e zhvillojnë me takime derë më derë. Tubimet i kanë shmangur për shkak të incidenteve kohëve të fundit në veri

Edhe pesë ditë u kanë mbetur kandidatëve për kryetarë të katër komunave në veri të vendit deri në përfundim të fushatës elektorale.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se deri më tani, ka zhvilluar fushatë me intensitet të ulët, siç tha ai, për shkak të incidenteve në këto komuna që nga paralajmërimi i mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale më 23 prill.

“Çdo fushatë jemi ballafaquar me këtë sfidë, çka mundem me thënë që në këto zgjedhje prej Listës është duke u vërejtur një relaksim, një çlirim i serbëve, pasi që ata kanë pasur metoda shumë të sofistikuara, kështu për t'i kërcënuar e shantazhuar qytetarët e tyre. Duke i marrë parasysh ndryshimet që janë bërë këto dy vjet në terren në aspektin e sigurisë dhe në aspektin e shtrirjes së institucioneve ka progres në këtë aspekt. Ne kemi takim me të gjithë qytetarët pa dallim, duke i përfshirë edhe të komunitetit serb”, tha Atiq.

Kundërkanditati i Atiqit nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica”, Betim Osmani, thotë se është duke zhvilluar vizita derë më derë me qytetarët.

Ai theksoi se thirrjet nga shteti i Serbisë për bojkotim të zgjedhjeve, kanë ndikuar te komuniteti serb.

“Janë të qasshëm, kemi kontakt edhe me qytetarë të komunitetit serbë, edhe komuniteteve tjera. Disponimi është i mirë për të dalë, por siç edhe ceka, ka thirrje nga shumë anë që të bojkotohen këto zgjedhje, por po shpresojë që qytetarët do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të dal e votuar”, tha Osmani.

E kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se po zhvillon takime ditore me qytetarët shqiptarë. Të njëjtën gjë nuk po arrin ta bëjë edhe me serbët.

“Nuk kemi kontakt me serbët, nuk po mundemi me kontaktu, jo që s'po mundemi, por për të biseduar për këtë çështje, meqenëse dihet që është një thirrje e përgjithshme edhe e krerëve të Listës Serbe edhe e krerëve të Serbisë në këtë drejtim që të bojkotohen këto zgjedhje dhe duket që kanë ndikim të madh te qytetarët serbë dhe do t'i bojkotojnë”, tha Zeqiri.

Fushata elektorale për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan ka nisur më 4 prill. Në garë për kryetarë në të katër komunat veriore janë 11 kandidatë. Kandidatë serbë për kryetar ka vetëm në Komunën e Leposaviqit dhe Zveçanit.