Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar për numrin e anëtarëve të kuvendeve komunale për zgjedhjet lokale të vitit 2025, duke u bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë.
Sipas ligjit për Vetëqeverisje lokale, numri i anëtarëve të Kuvendit të Komunës duhet të jetë proporcionalisht varësisht nga numri i qytetarëve në atë komunë, me përjashtim të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, që i ka 51 anëtarë.
Nëse komuna i ka deri 10 mijë qytetarë, do të jenë 15 anëtarë, prej 10,001 deri 20 mijë qytetarë do të jenë 19 anëtarë, nga 20,001 deri 30 mijë qytetarë do të ketë komuna 21 anëtarë, nga 30,001 deri 50 mijë qytetarë do të jenë 27 anëtarë, 50,001 deri 70 mijë qytetarë, kuvendi i asaj komune do të ketë 31 anëtarë, nga 70,001 deri 100 mijë qytetarë, atëherë kuvendi i asaj komune do të përbëhet nga 35 anëtarë, ndërsa nëse komuna i ka mbi 100 mijë qytetarë atëherë kuvendi i asaj komune do të ketë 41 anëtarë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në kuadër të procesit parapërgatitor për organizimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen gjatë këtij viti, ka pranuar shkresën njoftuese nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) lidhur me numrin e anëtarëve të Kuvendit të Komunave. Në përgjigje ndaj kërkesës së KQZ-së, shkresa njoftuese e MAPL-së bazohet në numrin e banorëve në komunat e Republikës së Kosovës nga regjistrimi i popullsisë i realizuar në vitin 2024”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Sipas regjistrimit të popullsisë 41 anëtarë do të kenë kuvendet komunale të Prizrenit, Ferizajt, 35 anëtarë do t’i kenë kuvendet komunale të Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Podujevës, ndërsa nga 31 anëtarë do të kenë kuvendet komunale në Fushë-Kosovë, Mitrovicë, Lipjan e Vushtrri.
Për dallim prej zgjedhjeve të kaluara, rritje të numrit të asamblistëve ka në Fushë-Kosovë nga 27 në 31, Shtërpcë nga 15 në 19, ndërsa rënie ka në Deçan nga 27 në 21, Drenas nga 31 në 27, Dragash nga 27 në 21, Kaçanik nga 27 në 21, Kamenicë nga 27 në 21, Mitrovicë nga 35 në 31, Rahovec nga 31 në 27, Viti nga 34 në 27, Suharekë nga 31 në 27, Vushtrri nga 35 në 31, Malishevë nga 31 në 27, ndërsa nga 19 në 15 kanë rënë në Leposaviq, Zubin-Potok, Mitrovicë e Veriut, Junik e Zveçan.
Në total nga 1002 asamblistë ka rënë numri në 942.
Lista e plotë
