Arbëri

Zgjedhja e Naser Shalës në krye të Agjencisë së Pronës zemëron Ambasadën britanike dhe atë amerikane

Reagime të ashpra kanë bërë ambasadori britanik dhe ai amerikan, pas zgjedhjes së Naser Shalës në krye të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Ambasadori Ruari O’Connell, nuk është pajtuar me zgjedhjen e Shalës, duke dhënë edhe dorëheqje nga kryesimi i Bordit të Agjencisë së Pronës, raporton KTV.

Vendimi i ambasadorit O’Connell ka ardhur pas mospërfilljes nga Kuvendi i Kosovës, që ta emërojë në një pozitë kandidatin që doli më i suksesshmi, bazuar në konkursin të cilin e monitoron ambasada, për pozita publike.

Kuvendi i Kosovës, por edhe institucione tjera, kanë nënshkruar më herët memorandum me Ambasadën Britanike, e cila ndihmon në përzgjedhjen e stafit në pozita publike të ndryshme.

“Fatkeqësisht, Kuvendi ka dështuar të zgjedhë kandidatin e vetëm që kishte plotësuar kriteret e konkursit dhe kështu ka vendosur në këtë pozitë një kandidat që nuk u konsiderua profesional për pozitën”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Aty shtohet se, me këtë vendim, Kuvendi ka dëshmuar se nuk është i gatshëm të zbatojë marrëveshjen e përbashkët me ambasadën.

Edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë përkrah reagimin e Ambasadës së Britanisë, pas vendimit se deputetët e Kuvendit zgjodhën Naser Shalën në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

“Deputetët treguan se më shumë vlerësojnë nepotizmin sesa të drejtat pronësore të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ambasadori Philip Kosnett.

KTV-ja ka kërkuar qëndrim edhe nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, por nuk kanë kthyer përgjigje. Javën e kaluar, deputetët kanë votuar me 50 vota për ta zgjedhur Naser Shalën në krye të Agjencisë së Pronës. Kandidatja tjetër, Florije Kika, mori vetëm 20 vota të deputetëve.

Naser Shala, i njohur gjatë luftës si komandant “Ftyra”, ka qenë i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile në rastin “Kleçka”. Ai ishte shpallur i pafajshëm.

Gjithashtu, është pjesë e përgjimeve në rastin Pronto, duke folur me ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili i tregon se e kishte kërcënuar Jakup Krasniqin, në emër të tij.