Kryetari i zgjedhur në komunën e Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, e ka quajtur të pakuptimtë kërkesën e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për djegien e mandateve të fituara nga katër kryetarët e rinj të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin-Potokut në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.
Zeqiri pret që për këtë çështje, kryetarët e zgjedhur të këtyre komunave të thirren në takim nga kryeministri Albin Kurti.
“Nuk jam njoftuar, për mua është diçka e pakuptimtë nga ana e Bashkësisë Evropiane, duke i ditur të gjitha mekanizmat e tyre që i kanë në terren dhe e dinë se si është situata dhe për veprimet e grupeve kriminale. Kur kam dëgjuar jam befasuar për këtë. Presim ndonjë konfirmim të mëtutjeshëm. Do të kisha besuar që kryeministri Kurti të na thërrasë të gjithë kryetarët dhe të marrim hapat e mëtejshëm, pres mbështetjen e tij, besoj se do të ketë takim të thirrur nga ai. Kryeministri duhet të jetë i vëmendshëm për të na ftuar nëse ka diçka të vërtetë, unë të gjitha i kam marrë si spekulime”, ka thënë ai të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Për vendosjen e flamujve të Kosovës në objektet komunale, Zeqiri ka thënë se nuk do të jetë e lehtë.
“Nuk do të jetë e lehtë, varësisht prej seriozitetit të veprimit ligjor. Nuk mund të lejohen dy administrata në një shtet. Kemi të bëjmë me një administratë të instaluar nga një shtet tjetër që nuk përputhet asgjë. Nuk ka ndonjë arsye të lejohen të zhvillohen dy apo tri administrata të ndryshme. Sfida ka, por kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë, nuk mund të shkojë në pafundësi”, ka thënë ai më tej.
Zeqiri ka deklaruar se pret që javën e ardhshme të informohet për datën dhe vendin ku do të bëhet betimi.
“Betimi do të merret me harmoni me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, nuk marr vendim sipas mendimit personal, do të harmonizohemi për datën dhe vendit ku do të bëhet betimi. Momentalisht nuk kemi bërë ftesa, javën tjetër do të jemi të gjithë të informuar edhe për datën dhe vendin. Është i rëndësishëm shumë vendi se ku do të bëhet betimi”, ka thënë ai.
Gjatë ditës është raportuar se strukturat paralele ilegale serbe e kanë rrethuar me rrethoja prej hekuri objektin e Komunës së Zubin-Potokut. Zeqiri njoftoi se bëhet fjalë për ndërtimin e një rruge rrethrrotullim që gjendet pranë hyrjes së komunës.
“Nuk ka diçka të vërtetë. Ishin disa raportime, fillimisht nuk isha i njoftuar gjatë mesditës por më vonë u njoftova drejtpërdrejt prej organeve të sigurisë që aty nuk ka barrikadim të rrethojave të komunës por bëhet fjalë për ndërtimin e një rruge rrethrrotullim që gjendet pranë hyrjes së komunës dhe aty kryen punët një firmë private për shkak të rrugës”, është shprehur ai.