Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se nuk mendon të japë dorëheqje nga detyra e udhëheqësit të kësaj komune, pasi thekson se duhet të ketë arsye e rrugë ligjore për ta bërë këtë.
“Njëherë nuk po mendoj për dorëheqje se këto janë veç spekulime të bisedohet nuk mendoj, ne jemi duke punuar, njëherë për njëherë nuk kemi thirrje për dorëheqje”, tha Zeqiri për KosovaPress.
Ai ka shtuar mënyra e largimit të kryetarëve me peticion është një proces që merr më shumë kohë.
“Rrugët ligjore duhet të gjenden, nuk ka dorëheqje njëherë nuk po mendojmë. Për dorëheqje duhet të gjendet rruga ligjore, dorëheqjen nuk po e shoh të arsyeshme pa ndonjë arsye ligjore. Ne duhet me i gjet ligjërisht qysh është një rrugë ligjore që e ka përmendur edhe presidentja por është një kohë më e gjatë për tjetër nuk e di, duhet gjetur, në të kundërtën nuk kemi arsye për të dhënë dorëheqje”, tha ai.
Sipas Zeqirit, kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore duhet të vazhdojnë të punojnë për aq sa kanë mundësi, pasi sipas tij, ka dyshime nëse zgjedhjet e parakohshme do të prodhonin rezultat.
Edhe
Zeqiri thotë se sulmet terroriste ndaj infrastrukturës kritike mund të përsëriten
“Duhet me vazhdu me atë sa është e mundur sepse po të hymë sot në zgjedhje çfarë prodhojmë këtu është problem, arsyeja duhet të gjendet se a përmirëson kjo situatë me zgjedhje apo mund ta përkeqësoj situatën me zgjedhje”, tha Zeqiri.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas takimit të zhvilluar më 22 qershor në Bruksel me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se janë të hapur për zgjedhje të parakohshme në komunat veriore, por sipas tij ato duhet të ndodhin sipas zgjidhjes ligjore.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u futën në objektet komunale nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë.
Edhe
Zeqiri për shpërthimin në veri: S’ka vend për panik
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.
Ndërsa, institucionet e Kosovës kanë njoftuar se forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, brenda territorit të vendit, të cilët po vazhdojnë të mbahen në Serbi./ KP