Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të komunës së Zubin-Potokut, në zgjedhjet e 23 prillit, Izmir Zeqiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës është dashur që me prezencë më të madhe te qytetarët t’i japë fuqi procesit të zgjedhjeve.
Ai në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së ka theksuar se e ka përkrahjen e partisë së tij, por se sipas tij në takime me qytetarë nuk është parë prezenca e zyrtarëve qeveritarë.
“Te qytetarët shihet një lloj skepticizmi për shkak ndoshta të mosprezencës së organeve qeveritare në këto zona, gjatë takimeve me qytetarë nuk po shihet prezencë e organeve të Qeverisë, ministrave, kryeministrit, që t’i dhënë mbështetje edhe procesit edhe garuesve këtu, në këtë këndvështrim procesi shihet me skepticizëm ... te qytetarët ka një skepticizëm që edhe Qeveria me këto vendime është duke bërë hajgare”, ka deklaruar Zeqiri.
Ai ka deklaruar se për momentin gjendja në tërë territorin e Zubin-Potokut është normale dhe e qetë.
Por Zeqiri ka theksuar se tashmë dihet që qytetarëve të nacionalitetit serbë po u bëhet presion nga Lista Serbe dhe Beogradi që të mos dalin në zgjedhje.
“Por a ka tensione dhe presione nga krerët e Listës Serbe dhe nga kreu i Serbisë, këto tashmë janë të publikuara, ka presion te serbët që t’i bojkotojnë zgjedhjet dhe të mos dalin në zgjedhje”, ka deklaruar Zeqiri.
Ai ka theksuar se deri më tani nuk ka arritur të takojë serbë të asaj pjese dhe të diskutojë për zgjedhje dhe se do të bëjë përpjekje maksimale për t’i takuar dhe për të diskutuar me ta.
Edhe
Zeqiri thotë se sulmet terroriste ndaj infrastrukturës kritike mund të përsëriten
Mirëpo Zeqiri ka thënë se ai edhe në punën e përditshme të tij, takon çdo ditë edhe qytetarë të nacionalitetit serb dhe se flet e përshëndetet me ta.
Zeqiri ka thënë se këtë herë, për shkak të situatës nuk do të organizojnë tubime të mëdha. “Për shkak se shumica e qytetarëve serbë i kanë bojkotuar dhe i bojkotojnë këto zgjedhje, mendimi im dhe i ekipit është që të shkojmë me një fushatë më të qetë”, ka theksuar ai, duke shtuar se po zhvillojnë takime të vogla me banorë.
Ai ka thënë se nëse i fiton këto zgjedhje, synimi i tij do të jetë që t’i vë në binarë e në veprim të gjitha dikasteret e Komunës, pasi sipas tij asnjë prej tyre deri më tani nuk ka funksionuar si duhet.