Mehmet Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi, ka thënë se presidenti i këtij vendi, Jakov Milatoviq është dorë e zgjatur e homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq.
Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Zenka ka thënë se po të mos ndihmohej nga Vuçiqi, Milatoviqi nuk do të mund t’i fitonte asnjëherë zgjedhjet presidenciale.
“Edhe Vuçiqi thotë se dëshiron të udhëheqin një politikë proevropiane, por shiheni rezultatin dhe aktivitetet e Qeverisë së Serbisë, këta janë thjeshtë një dorë e zgjatur e politikës së Vuçiqit, sepse edhe Milatoviq në zgjedhjet presidenciale, po të mos ishte ndihma e Vuçiqit, ai nuk do të kishte shanse t’i fitonte zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Teksa ka folur për Qeverinë e re të këtij vendi, Zenka ka thënë se të gjitha veprimet e deritashme të të zgjedhurve në krye të ekzekutivit, dërgojnë në politike proruse, pro Beogradit, anti-shqiptare dhe kundër shtetit të Malit të Zi.
“Dje për herë të parë Mali i Zi zgjodhi Vojvodën e çetnikëve. Brenda natës nuk mund të ndërrohet politika e Vojvodës së çetnikëve që ka fituar shtatëshen e nderit prej Vulinit, i cili është prej komponentëve kryesorë anti-shqiptarë dhe kundër shtetit Malazias, më duket se tani mbulon shërbimet sekrete serbe. Edhe ne e kishim ofertën që t’i bashkoheshin kësaj Qeverie, mirëpo si parti nacionale ishte e papranueshme të marrim pjesë e të votojmë pro një Vojvode që shqiptarët i ka quajtur në mënyra të ndryshme, e që Radoiçiqin e quan hero kombëtar të Serbisë, ndërsa për ne është një kriminel në territorin e Kosovës”, ka thënë ai.