Profesori nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, ka thënë se shoqëria sot jeton në një demokraci jonormale.
Në “Konfront” të KTV-së, Zeneli ka thënë se polarizimi politik ka qenë i pranishëm edhe më herët, por se sot përmasat janë më të mëdha për shkak të mundësisë teknologjike të shpërndarjes së informacionit dhe polarizimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka thënë se sot shoqëria jeton në një epokë që njihet si “e pas të vërtetës”.
“Në SHBA kemi një president që gjeneron fotografi me inteligjencë artificiale dhe e portretizon veten si Jezusi. Jemi në një lloj demokracie jonormale në ato vlerat tradicionale të demokracisë që i kemi njohur deri tash. Jetojmë në një epokë që teorikisht njihet si ‘epoka e pas të vërtetës’, ku njerëzit të vërtetën nuk e kërkojnë më në mënyrë objektive, por vetëm në pikëpamje subjektive, duke u nisur prej emocionit. Duke u nisur nga ideja që më pëlqen ajo që thotë për shembull Arbëri, nuk më intereson a ka diçka të vërtetë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo po ndiqet edhe nga politikanët.
“Në këtë audiencë që ndjek lideri dhe jo argumentin, është jashtëzakonisht e rëndësishme të shihet se si depërtojnë politikanët. Ata përdorin këtë element që quhet emocion, si në vlerat e luftës, apo diçka tjetër për të tejkaluar racionalitetin apo gjykimin racional për përmbajtjen që e sheh. Kjo është teknika për të depërtuar te një numër i votuesve. Është dëshmuar në plot vende, edhe perëndimore, se ka funksionuar si teknikë. VV-ja ka aplikuar teknikë si më 2016 në SHBA, kur ka fituar Trumpi apo edhe Brexiti në Britani të Madhe”, ka shtuar ai duke theksuar se shumë gjenerata në Kosovë sot jetojnë në epokën e emocionit.
Jashari për gjuhën polarizuese: Kuvendi dhe televizionet nuk janë në nivelin e detyrës së tyre
Juristi Arbër Jashari ka thënë se njerëzit shpesh me shumë lehtësi shkruajnë komente ofenduese e kërcënuese, dhe nuk e dinë se me atë shkrim mund të kryejnë vepra penale si “kanosje” apo vepra tjera.
“Pa pikë nevoje i nxjerrin vetes telashe pastaj me polici, gjykata. Mungon kjo kulturë, njerëzit nuk janë shumë të vetëdijshëm për pasojat e fjalës publike”, tha Jashari në “Konfront” të KTV-së.
Ai tha se sfidat e kohës, teknologjia, kanë sjellë edhe probleme të kohës reale. Jashari tha se fjala e lirë ka peshë dhe është e mbrojtur dhe është e drejtë thelbësore. Por, ka kufijtë e vetë deri në momentin kur nuk e cenon të drejtën e tjetrit dhe nuk bën thirrje për dhunë apo nuk e kanos dikë tjetër.
Jashari ka thënë se vendet që duhej të ishin shembujt, si Kuvendi apo edhe televizionet, nuk janë shpesh në krye të misionit të tyre.
“Ajo që është më ironike, vendet që duhej të ishin shembuj, Kuvendi apo skena politike në përgjithësi, por edhe televizionet shpesh, nuk janë në krye të misionit të tyre”, tha Jashari.
Morina: Në fitore absolute, Rugova u kërkonte votuesve t'i votojnë edhe të tjerët
Gazetari Idriz Morina ka krahasuar ngërçin aktual politik me periudhën kur në Kosovë shumicën e votave i merrte Lidhja Demokratike e Kosovës nën udhëheqjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Duke komentuar situatën e bllokuar rreth postit të presidentit, Morina ka thënë se sot ka mungesë të vizionit që ishte në atë kohë.
Ai ka thënë se Rugova edhe pse i fitonte zgjedhjet me shumicë dhe numra të ngjashëm sikur Vetëvendosje sot, e jepte postin e kryeministrit “për hir të krijimit të frymës demokratike dhe për hir të vendit”.
Morina ka kujtuar po ashtu se Rugova “madje u thoshte votuesve të votoni ehde parti të tjera”.
“E shihte si nevojë të demokracisë, të pluralizmit. Kosova ka krijuar përvojë të pluralizmit edhe para luftës. LDK-ja mund ta mbante vetë pushtetin paralele, por për hir të demokracisë kishte parti të tjera... E synonte konstituimin e një demokracie të mirëfilltë. Ishte qëllim dhe vizion i LDK-së. Sot nuk ka vizion të tillë, s’ka përpjekje kur shteti, shoqëria e interesi nacional janë në rend të parë. VV-ja e sheh si ta fuqizojë individin, partinë e saj dhe vjen në shprehje kritika për autokraci”, ka thënë ai.
Zeneli: Komentues në rrjete sociale i mallkojnë njerëz për përzgjedhjet e tyre politike
Profesori nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, ka thënë se kohëve të fundit është krijuar një përçarje në shoqëri që s’ka qenë karakteristikë e mëhershme në Kosovë. Ai ka përmendur zgjedhjet e jashtëzakonshmet të dhjetorit të vitit të kaluar, ku ka thënë se ka pasur përçarje mes qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Kosovë dhe qytetarëve të Kosovës që jetojnë në mërgim.
“Rrjedhimisht tash kemi çdoherë më shumë, nëse lexojnë përmbajtjet e komenteve në rrjete sociale, shohim atë gjuhë përçarëse që fillim ishte përdorur për qëllime politike...po vazhdon të mbetet ajo gjuhë. Kemi njerëz, komentues, që mallkojnë qoftë këta që jetojnë këtu apo ata që jetojnë jashtë vendit, për zgjedhjet e tyre politike”, tha Zeneli në “Konfront” të KTV-së. “Kjo paraqet problem real në shoqëri. Mendoj se dëmi po shkon duke u thelluar me këtë lloj gjuhe”.
Zeneli ka thënë se problemi kryesor i polarizimit të shoqërisë është mungesa e konsensusit për një çështje. Ai tha se polarizimet e tilla bëjnë që konsensusi shoqëror të mos qëndrojë.