Arbëri

Premtohet shtimi i numrit të anesteziologëve në Kosovë

Në ditën botërore të anestezionit ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka mbajtur takim me anesteziologë.

Zemaj ka thënë se me sukses kanë arritur të rrisin numrin e specializantëve në luftimin e COVID-19.

“Kemi arritur me sukses të shtojmë numrin e respiratorëve për ta lehtësuar gjendjen me pandemi. Kemi dhënë prioritet që të planifikojmë shtimin e numrit të specializimeve dhe me rritjen e nevojës 40 specializantë do të jenë në shërbim të pacientëve. Përkushtimi tjetër është që edhe ata që janë larguar nga QKUK-ja e SHSKUK-ja se cilat janë nevojat dhe kushtet e rikthimit”, ka thënë ai.

Kurse ushtruesi i detyrës të drejtorit të SSHKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se specializantët e rinj do të lehtësojnë punën në luftimin e pandemisë.

“Ne sot jemi ardhë ta shënojmë ditën e anesteziologjisë. Anesteziologët kanë qenë të angazhuar mjaft shumë sidomos kësaj periudhe me pandeminë. Shpërndarja e anesteziologëve e ka vështirësuar punën e tyre por punën do t’ua lehtësojnë specializantët e rinj që do të inkuadrohen”, ka thënë Krasniqi.

Derisa Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë, ka thënë se këto gjashtë muaj kanë qenë një punë voluminoze.

“Këto gjashtë muajt e fundit kanë qenë punë voluminoze dhe angazhimi ka qenë profesional. Anesteziologjia është lëmi më e re dhe me zhvillimin e saj sot e ka mbërritur kulmin e shkencës. Ju jeni heronjtë e kohës. Nuk do të ndalemi dhe do të vazhdojmë dhe presim që shumë shpejtë do të vijnë profesionistët shëndetësorë”, ka thënë Baftiu.

Anesteziologu Lulzim Emini ka thënë se Kosova për vitin 2020 për 100 mijë banorë ka 5.72 anesteziologë dhe është numri më i vogël në rajon. Shumë më mirë se Kosova, sipas tij, qëndron Shqipëria, Mali i Zi dhe Austria.