Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Emini: Gjendja në anesteziologji është emergjencë kombëtare

Kryetari i Shoqatës së Anesteziologëve, Lulzim Emini, ka deklaruar se me numrin aktual të anesteziologëve në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, gjendja në këtë sektor është emergjencë kombëtare.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Emini ka thënë të mërkurën, se ka salla operacioni që nuk mund të hapen çdo ditë për shkak të mungesës së anesteziologëve.

“Gjendja në të gjitha spitalet regjionale dhe në QKUK është alarmante. Gjendja në anesteziologji është emergjencë shëndetësore në nivel shtetëror, emergjencë kombëtare. Në të gjitha institucionet punojnë 90 anesteziologë. Ka salla të operacionit që nuk mund të hapen çdo ditë për shkak të mungesës së anesteziologëve për këtë shkak po e quaj edhe emergjencë”, është shprehur Emini.

Derisa ka akuzuar sistemin mjekësor të krijuar për 23 vjet, Emini ka njoftuar se vetëm gjatë dy vjetëve të fundit 16 anesteziologë më pak janë në QKUK.

“Nëse e krahasojmë vetëm me dy vjet më parë, ne kemi qenë 64 anesteziologë në QKUK ndërsa tani jemi 48. Vetëm për dy vjet është zvogëluar numri, e lëre më të ketë rritje. Gjendja është rënduar edhe më shumë, përgjegjës janë të gjithë ata që kanë planifikuar sistemin shëndetësor për këto 23 vjet, e që ky planifikim tani rezulton të jetë jashtëzakonisht i mangët”, ka thënë Emini.

Ai më tej ka thënë se vetëm gjatë vitit 2022, gjashtë kolegë të tij e kanë lëshuar punën dhe kanë shkuar në sektorin privat. Arsyeja e tyre, sipas tij, ka qenë paga.

Edhe Spahija: I kemi 45 anesteziologë, na duhen 120 Arbëri Spahija: I kemi 45 anesteziologë, na duhen 120

Emini ka treguar se paga e anesteziologut në QKUK sillet rreth 620 euro në muaj, ndërsa në sektorin privat, më e ulëta mund të jetë 3.500 euro e të shkojë deri në 7.000 euro.

Për të funksionuar si vendet e rajonit, Emini thotë se institucioneve publike do t’i duheshin së paku 240 anesteziologë.