Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se ka vizituar të shtunën klinikat në QKUK, dhe ka parë që ato janë të mbushura porse personeli shëndetësor, është në krye të detyrave.
“Së bashku me u.d. drejtor i ShSKUK-së, dr.Saudin Maliqin, vizituam klinikat e QKUK-së për të parë gjendjen sa i përket hapësirave dhe situatës me barna për trajtim të pacientëve me Covid-19. Personeli shëndetësor, në çdo klinikë dhe spital, përkundër lodhjes dhe ngarkesave, janë në krye të detyrës. Kërkova që pacientët të kenë trajtimin e duhur, të mos ketë mungesa, as të hapësirave, as barnat e Listës esenciale dhe atyre të protokolleve, oksigjeni dhe çdo gjë tjetër për trajtimin efikas të pacientëve”, shkroi Zemaj.
Sipas Zemaj, klinikat dhe spitalet janë të mbushura, personeli shëndetësor është tejet i angazhuar, por siç shprehet ai, “jeta e qytetarëve tanë është më e vlefshme se çdo gjë tjetër”.
“Të gjithë së bashku duke ruajtur njeri-tjetrin, ruajmë familjet tona, sistemin shëndetësor dhe Republikën e Kosovës. Bashkë ia dalim!”, përfundon ai.