Arbëri

Zëdhënësi i VV-së: Cilësia në arsim s’mund të ndërrohet për 2-3 vjet

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar sa u përket rezultateve të testit PISA, duke thënë se cilësia në arsim nuk mund të përmirësohet për 2-3 vjet.

Ai ka thënë se ndryshimet në këtë fushë kanë filluar dhe përpjekja është serioze e jo kozmetike, por se sipas tij rezultatet e këtyre ndryshimeve do të shihen shumë më vonë.

“Rezultatet e PISA-s dhe jo vetëm tregojnë për gjendjen e cilësisë në arsim, gjendje e cila as për të mire e as për të keq nuk mund të ndërrohet brenda 2-3 viteve. Nëse ka ndonjë fushë frytet e së cilës, çfarëdo qofshin ato, do t’i vjelim në periudhë më afatgjatë sesa pothuajse secila fushë tjetër, ajo pa dyshim që është fusha e arsimit. Është një fushë ku kërkohet angazhim i të gjithë faktorëve shoqërorë për të ecur përpara”, ka shkruar Manxhuka në një postim në Facebook.

Ai ka shkruar edhe disa të dhëna sa i përket nderimit të çerdheve të reja, investimin ky në fëmijërinë e hershme që, sipas tij, është periudha kruciale në procesin e nxënies së mëvonshme.

Nga vitit 2003-2020, 17 vite, Ministria e Arsimit ka ndërtuar vetëm 4 çerdhe. Ndërkaq, nga marsi i vitit 2021, me qeverisjen e re, janë përfunduar tashmë 4 çerdhe të reja, 26 janë në proces të ndërtimit dhe 6 objekte janë adaptuar dhe kthyer në çerdhe. Nisur nga kjo i bie që 850% më shumë çerdhe të reja janë ndërtuar ose janë në proces të ndërtimit për këto 2.5 vite krahasuar me 17 vitet paraprake”, ka shkruar ai.

Ka përmendur edhe arsimin dual. “Nga ana tjetër, për shumë nga të rinjtë tanë që janë arsimuar nga ky sistem ekzistues, zgjidhja jetësore qëndron te fitimi i praktikës së punës profesionale. Edhe për këtë po bëhet një ndërhyrje transformuese, me politikën e arsimit dual”, ka shkruar Manxhuka.