Pa ndonjë rezultat, ka kaluar muaji i parë i bisedimeve mes Shpend Ahmetit të PSD-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për mundësinë e bashkëqeverisjes në kryeqytet.
Madje, gjatë kësaj periudhe, vetëm sa janë shtuar përplasjet mes palëve, raporton “038” në KTV.
Ahmeti thotë se është i interesuar të bashkëpunojë me ish-partinë e tij dhe se për këtë i ka ofruar numrin më të madh të drejtorive brenda koalicionit – 4 sosh.
Por shton se është i befasuar me ato që ai i quan sulme të VV-së ndaj qeverisjes së tij.
Pas propozimit të Ahmetit që Muhedin Nushi të jetë nënkryetar i dytë, Vetëvendosja ka hequr dorë nga ky post.
Por, ata vazhdojnë të kushtëzojnë koalicionin me kërkesën për udhëheqjen e 6 drejtorive.
Megjithëse thotë se vendimi do të merret në kryesinë e partisë, Rrahmani nuk pret koalicion me PSD-në.
Sipas Ahmetit, ruajtja e programit qeverisës edhe pas ndërrimit të partisë garanton realizimin e tij.
E edhe në rast të refuzimit të ofertës për koalicion nga Vetëvendosja, ai thotë se nuk do të shkarkojë asnjë nga drejtorët e kësaj partie.
E Rrahmani thotë se nuk e di nëse drejtorët e partisë së tij do të vazhdojnë t’i mbajnë pozitat e tyre në ekzekutivin e komunës, nëse nuk ka marrëveshje për bashkëqeverisje.