Arbëri

Ymeri fton aktivistët dhe anëtarët e VV-së të përmbahen nga “gjuha e papranueshme”

Para pak minutash ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila u mblodh para disa orësh për të diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit në këtë organizatë.

Visar Ymeri, kreu i Lëvizjes, para mediave tha se e kanë pranuar dorëheqjen e deputetes Aida Dërguti nga Kryesia e lëvizjes dhe nga posti i saj i kryetares së Qendrës së VV-së në Vushtrri.

“Kjo është dorëheqja e vetme që është dhënë nga kryesia e LVV-së”, tha ai.

Në mbledhje, sipas tij, janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit dhe shkrimet në rrjetet sociale pas raportimit të portalit Koha.net dhe KTV-së që kanë të bëjnë me ofendimin që Dërguti i kishte bërë ish-kreut të VV-së, Albin Kurti, raporton Koha.net.

“Kryesia njëzëri e dënon dhe e quan të papranueshme gjuhën e përdorur karshi, veçanërisht figurave publike të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kësaj fundjave në rrjetet sociale dhe kërkojmë nga të gjithë aktivistët dhe anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje që ta ndalin këtë mënyrë të të shkruarit dhe përdorimin e kësaj gjuhe në rrjetet sociale ndaj figurave publike të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Ymeri para gazetarëve.

Të premten ishte Koha.net që publikoi për herë të parë një komunikim mes qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë dhe asaj në Prishtinë, ku shpërfaqej një përçarje mes anëtarëve të partisë.

Krejt kjo përçarje më pas u zbulua nga KTV se kishte rrjedhur nga një bisedë në një grup në Viber mes anëtarëve të VV-së ku Aida Dërguti e kishte quajtur Albin Kurtin “m..”.