Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Xhevë dhe Fehmi Lladrovci kujtohen si simbol i rezistencës dhe luftës për liri

Dëshmoret Xhevë e Fehmi Ladrovci janë kujtuar në 25-vjetorin e rënies së tyre. Qytetarë e personalitete publike kanë bërë homazhe te varrezat e tyre në fshatin Gllanasellë të Drenasit.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Fehmi e Xhevë Lladrovci, janë personifikim i vetëmohimit për lirinë e vendit.

“Përkushtimi i tyre i palëkundur për lirinë i bëri që ata të jenë stoikë, të guximshëm e këmbëngulës. Si të tillë u përjetësuan, duke u bërë personifikim i vetëmohimit për lirinë e vendit. Xheva dhe Fehmiu u përballën me vendosmëri të palëkundur për idealin e brezave, ëndrrën për liri e shtet. Ata na kujtojnë përherë rrugën e zorshme deri te liria dhe përkushtimin që duhet pasur për ta mirëmbajtur lirinë dhe për ta forcuar edhe më tej Republikën për të cilën ranë! Kujtimi për ta qoftë i përhershëm!”, citohet Osmani në komunikatën e Presidencës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se çifti Xhevë e Fehmi Lladrovci, janë simbol i rezistencës dhe luftës për liri.

“Ata u bënë frymëzim për luftën qëndrestare e heroike të UÇK-së. Brigada 114 e UÇK-së, që drejtohej nga Fehmi Lladrovci, mori një emblemë shtesë, emblemën e komandantit të saj. Aktiviteti i Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit para e gjatë luftës për liri ashtu si dhe rënia e tyre në front, shënon idealet më të larta të popullit shqiptar në Kosovë. Rrëfimi për jetën dhe vdekjen e tyre është një epos lirie. Mirënjohje përjetë, lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi Xhevë e Fehmi Lladrovcit!”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Edhe Osmani: Xhevë e Fehmi Lladrovci gardianë të lirisë së Kosovës Arbëri Osmani: Xhevë e Fehmi Lladrovci gardianë të lirisë së Kosovës

Fehmi e Xhevë Lladrovci janë kujtuar edhe nga kryeministri Albin Kurti.

“’Fati im më i madh i jetës’. Kështu e kishte quajtur Fehmi Lladrovci vdekjen për lirinë e Kosovës. Me ideale të larta kombëtare, Fehmi Lladrovci, inxhinieri i makinerisë nga Universiteti i Zagrebit, veprimtari i çështjes kombëtare, i burgosuri politik, luftëtari i UÇK-së, ia fali jetën lirisë. Më 22 shtator 1998, pas përballjes disa orëshe me njësi të forcave të armatosura serbe, ai ra dëshmorë bashkë me Xhevë Lladrovcin, Shefqet Zekën dhe Fatime Hetemin. Fatimja është motra dëshmore e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Në këtë çerek shekull të rënies heroike, nderojmë kujtimin e të rënëve në Gradinë. I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën në rrugën për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Lavdi!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Image

Xhevë e Fehmi Lladrovci janë kujtuar edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ata kanë bërë homazhe te shtatoret e Xhevë e Fehmi Lladrovcit në qytetin e Drenasit.

Edhe Në 25-vjetorin e rënies vlerësohet lart vepra dhe sakrifica për liri e Fehmi Lladrovcit Arbëri Në 25-vjetorin e rënies vlerësohet lart vepra dhe sakrifica për liri e Fehmi Lladrovcit
Image
Image

Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Qyiçavicë.

Bashkë me ta ra edhe studentja, Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë. Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit do ta mbajë kjo brigadë. Të enjten e kësaj jave, në sheshin e Drenasit janë vendosur shtatoret e dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.