Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Xhevë e Fehmi Lladrovci gardianë të lirisë së Kosovës

Xheve e Fehmi Lladrovci - permendoret

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kujtuar Xhevë dhe Fehmi Lladrovcin në 26-vjetorin e rënies.
Osmani tha se ata janë gardianët e përjetshëm të lirisë dhe Republikës së Kosovës.

"Xhevë dhe Fehmi Lladrovci janë gardianët e përjetshëm të lirisë dhe Republikës së Kosovës.Sot shënojmë 26-vjetorin e rënies heroike të dy gjigantëve të historisë së kombit tonë, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që kemi sot. Ata ranë së bashku pikërisht në këtë ditë, të bashkuar edhe në përkushtimin e palëkundur për çlirimin e Kosovës.Xheva dhe Fehmiu, ishin më shumë se luftëtarë – simbole të shpresës dhe forcës për të gjithë ata që ëndërruan dhe dëshiruan një Kosovë të lirë dhe të pavarur.Trashëgimia që kanë lënë pas Xheva dhe Fehmiu i tejkalon kohët. Ata kurorëzuan veprimtarinë e tyre patriotike me aktin e heroizmi të rënies në krye të betejës", tha Osmani.


Kurti për Fehmi e Xhevë Lladrovcin: Vdiqën për atë që jetuan, për lirinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se jeta e Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit – Lladrovcit, ishte lavd për dashurinë, për dashurinë për lirinë e Kosovës. 

Ai në postim në Facebook ka thënë se Fehmi e Xhevë Lladrovci vdiqën për atë që jetuan – për lirinë e Kosovës. 

“Jeta e tyre ishte lavd për dashurinë; lavd për dashurinë për lirinë; lavd për dashurinë për lirinë e Kosovës. Lavdi Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit – Lladrovcit, të rënë heroikisht, këtu e 26 vjet më parë! Ata të dy vdiqën për atë që jetuan: për lirinë e Kosovës. Vdekja e tyre ishte një rënie e njëhershme, ashtu siç jeta e tyre ishte një vepër e përbashkët, kryevepër për dashurinë dhe lirinë. Fehmi Lladrovci (1956) nga Gllanasella e Drenasit dhe Xhevë Krasniqi (1955) nga Drenoci i Malishevës ishin një çift i kulluar, që ashtu siç e shikonin njëri-tjetrin në sy me plot dashuri, bashkë shikonin drejt një synimi, lirisë së Kosovës. Ashtu siç e ka titulluar Fehmiu letrën e tij nga burgu për Xhevën, “DRITA E SYTRIT TIM XHEVË!”, ku ndër tjera ai i ka shkruar Xhevës: “Të përshëndes e të përqafoi nga larg SHPIRTI IM XHEVË! TË DUA SHUMË XHEVË”. Më 22 shtator të vitit 1998, gjatë luftimesh me forcat armike serbe në Gradinë, Fehmiu dhe Xheva ranë dëshmorë me dy nga bashkëluftëtarë të tyre, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Fatime Hetemi ishte një vajzë me prejardhje nga Bistrica e Shalës së Mitrovicës, e cila qysh në javët e para të luftës në Kosovë, u mobilizua duke e veshur uniformën e UÇK-së, siç shihet në një fotografi bashkë me Xhevën, mbushur me pamje guximi dhe vendosmërie”, ka shkruar Kurti në Facebook. “I sapo bërë 21-vjeçar, Shefqet Zeka (1977) nga Prishtina, ra atë ditë të martë duke luftuar bashkë me Fatimen, me Xhevën dhe me Fehmiun. Në një letër të shkruar me dorë prej tij rreth një muaj më parë, më 26 gusht 1998, Shefqeti ndër të tjera thoshte: “Kosova digjet flakë, Kosova gjëmon nga artileria e pushtuesit serb, Kosova masakrohet në mënyrën më barbare nga kriminelët serbë. Kosova para etnocidit. Kosova i mbush fushat me varre, rrugët me gjak shqiptari. Liria dhe Pavarësia janë më të shtrenjtë se jeta!” Këto konstatime dhe këto fraza aq të qarta politike të shkruara nga Shefqeti, janë dëshmi e shkruar e bindjeve dhe idealeve politike të tij që e shtynë drejt angazhimit për lirinë e Kosovës, me jetën e tij deri në vdekje. Lavdi luftëtarëve dëshmorë Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi – Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!”
 


Haradinaj: Fehmi e Xhevë Lladrovci shembull i idealit të luftëtarëve

Edhe Xhevë dhe Fehmi Lladrovci kujtohen si simbol i rezistencës dhe luftës për liri Arbëri Xhevë dhe Fehmi Lladrovci kujtohen si simbol i rezistencës dhe luftës për liri

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në 26-të vjetorin e rënies heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit ka thënë se janë shembull i idealit të luftëtarit të lirisë.

Haradinaj përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se Fehmia dhe Xhevë Lladrovci kanë qëndruar të palëkundur në çdo sfidë të përbashkët.

“Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, themeltarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë shembull i pastër i idealit të luftëtarëve të lirisë. Ata u përballën bashkë me çdo sfidë, duke qëndruar të palëkundur deri në rënien e tyre heroike. Pata nderin që me Fehmiun e Xhevën të jemi bashkë në shumë momente kyçe të luftës për lirinë e Atdheut. Një prej këtyre momenteve ishte beteja e Qafë Mullarit, në ditën që ra Luani. Fehmiu dhe Xheva vazhduan me guxim luftën çlirimtare, duke qenë shtyllë e saj deri në rënien heroike, në vendin e tyre të dashur, në Drenicë. Po në këtë datë ranë në altarin e lirisë edhe bashkëluftëtarët e tyre; Shefqet Zeka dhe Fatime Hetemi. Faleminderit për shërbimin ndaj Atdheut!”, shkroi Haradinaj.