Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, ka thënë se mendësia e partisë deri tani në pushtet është problemi i ngërçit të krijuar politik së fundmi.
Sipas tij, një mendësi e tillë nuk e pranon asnjë institucion që nuk e kontrollon.
Xhaferi vlerëson se pa marrëveshje politike nuk ka dalje nga kjo situatë.
“Jemi përballë një kryeneçësie politike, përballë një situate ku nuk po njihet dialogu e mirëkuptimi, po njihet vetëm përçarja dhe fyerja. Situata është e thjeshtë për të dalë nga ngërçi politik. Pa marrëveshje politike nuk ka dalje nga kjo situatë. Nëse nuk do marrëveshje, ne e kemi propozuar edhe Qeverinë e Unitetit. Mendësia e cila sot na udhëheq është problemi i krejt këtij ngërçi politik. Kur ti nuk i njeh institucionet, është shumë problem për ta sulmuar Prokurorinë e Shtetit, kur je i pastër mos iu frikëso asnjë institucioni. Mendësia e tyre është që një institucion që nuk e kontrollojnë, e sulmojnë. Një mendësi e tillë nuk e pranon as gjykatën e as prokurorinë”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
I pyetur se a janë gati për zgjedhje të reja, Xhaferi ka thënë se nuk ka asnjë kuptim shkuarja sërish në zgjedhje.
“Të gjitha partitë politike janë të gatshme për të shkuar në zgjedhje, por këto zgjedhje për të cilat po flitet nëse nuk konstituohet Kuvendi, nuk ka asnjë kuptim shkuarja në zgjedhje në këtë situatë. Pra sërish duhet marrëveshje për të dalë nga kjo situatë”, është shprehur ai.