Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Xani: S’është e mundur që Asociacioni të ketë kompentencë kushtetuese ekzekutive

Njohësi i procesit të dialogut, Visar Xani, ka thënë se në Planin evropian nuk e paraqet Asociacionin e komunave me shumicë serbe me vendime ligjore dhe se sipas tij nuk ka ndonjë rrezik për autonomi në veri të Kosovës.

I ftuar të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Xani ka thënë se nuk është e mundur të ndodhë që Asociacioni të ketë kompetencë kushtetuese ekzekutive.

“Ka vrojtim dhe rekomandim, nuk ka kompetenca ekzekutive, nuk ka vendime që ai Asociacion i ka ligjore që mund të merren dhe nuk konsideroj që është ndonjë rrezik për autonominë në atë pjesë. Duhet ta kemi parasysh që moskontrolli i plotë në atë pjesë çdo herë është rrezik potencial, por si Asociacion që jep vendim kushtetues dhe kompetencë kushtetuese ekzekutive, është e pamundshme të ndodhë”, është shprehur ai.

Xani më tej ka thënë se tashmë është kuptuar që Asociacioni “ nuk është një tradhti, nuk është Republika Sërpska, por është një avancim për vrojtim nga minoriteti serb të projekteve në interes të tyre”.

Sipas tij, çdo rishikim i marrëveshjes për të cilën janë pajtuar palët të hënën në Bruksel, do të kishte pasoja në kohë dhe në kërkesat për kompromis.

Edhe Xani: Zhvillimet e fundit rreth Asociacionit janë rezultat i kompromiseve politike, jo i negocimit Arbëri Xani: Zhvillimet e fundit rreth Asociacionit janë rezultat i kompromiseve politike, jo i negocimit

“Këtu çka mungon është vetëm njohja formale, ajo letra që është maksimumi i mundshëm tani për tani. Ende Serbia nuk është gati, edhe më herët ka pasur presione ta njohë pavarësinë e Kosovës, por s’ka qenë gati dhe mendoj që do të duhej një fazë tjetër që e vë para aktit të kryer Serbinë, siç është anëtarësimi në BE që do të duhej të ketë kusht që të ketë njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë e më pas të finalizohej me anëtarësim të plotë”, ka thënë tutje ai.

Xani ka thënë se është e rëndësishme që me këtë marrëveshje Kosovës i lejohet anëtarësimi në NATO, me të cilin sipas tij, është më garantues sovraniteti dhe siguria e vendit, sesa anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.