Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur kërkesën e saj që të publikohen procesi dhe arsyetimi i faljes apo lehtësimit të dënimit të personave që ishin dëshmitarë në procesin hetimor për rastin e vdekjes së aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari.
Në mes të muajit gusht KOHA raportoi se presidenti Hashim Thaçi ia kishte falur 3 vjet e gjysmë të dënimit, nga 15 në total sa ishte dënuar, Luz Allakut, që ishte dëshmitar në procesin hetimor për vdekjen e Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, katër vjet më parë. Po ashtu, edhe dëshmitari tjetër, Frrok Laski, ishte liruar shtatë muaj para se ta përfundonte dënimin.
Këto vendime ndaj dëshmitarëve të këtij rasti, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë, përmes një postimi në Facebook, se “është e rëndësisë jetike të bëhet publike procesi dhe arsyetimi i faljes së rastit në fjalë që mbase edhe do të ndihmonte në sqarimin e rrethanave të vrasjes së Astritit”.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Astrit Dehari, para 4 vjetësh ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij. Institucionet e Kosovës, e patën cilësuar vetëvrasje, por një ekspertizë mjekoligjore e kryer në një institut mjekësor në Lozanë të Zvicrës pati ngritur dilema edhe për opsione të tjera në këtë rast.