Albin Kurti do të jetë kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, të gjithë votuan pro, që Vetëvendosja të garojë me Kurtin si kandidat për kryeministër. E, ai tha se Qeveria që udhëhoqi ishte më e suksesshmja që ka pasur vendi
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje e ka përzgjedhur Albin Kurtin, si kandidatin e kësaj partie për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Mbledhja e 57-të e Këshillit të Vetëvendosjes, nisi të dielën me intonimin e himnit kombëtar.
E, në ngjarjen ku anëtarët e Vetëvendosjes u mblodhën për ta nominuar kandidatin e tyre për kryeministër të Kosovës, mungoi himni shtetëror.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kurtit i thuri lavde të shumta.
“Kush nga ne është më meritori, kush nga ne është më i përgatituri, po më i devotshmi kush është? Ne e kemi gjetur kush është, më lejoni që para jush ta prezantoj Albin Kurtin, kryeministrin e tashëm, por edhe të ardhshëm”, ka thënë Konjufca.
Edhe
Vetëvendosja nominon Albin Kurtin për kryeministër
Nominimin e Kurtit nga partia nuk e kundërshtoi askush, të gjithë votuan pro. Ai nuk pati as kundërkandidat.
Pas kësaj, Nagavci e shpalli të mbyllur për medie tubimin, por harroi që fjalën t’ia japë Kurtit.
Më pas, ministrja tërhoqi fjalët dhe në skenë doli Kurti.
Kurti u shpreh se Qeveria që ai udhëheq ishte më e mira që ka pasur Kosova, pasi sipas tij, ndali korrupsionin, përmirësoi sigurinë dhe mirëqenien sociale.
“Kosova më në fund ka një qeveri, e cila u shërben të gjithë qytetarëve njësoj, e jo interesave të ngushta të pushtetarëve apo oligarkëve. Kemi udhëheqësi që lufton korrupsionin kudo që gjendet dhe rritjen e ekonomisë dhe të buxhetit e shpërndan te të gjithë qytetarët. Për dallim nga ata para nesh që ishin vetë përfituesit më të mëdhenj nga buxheti i shtetit. Kemi një shtet që ka arritur ta shtrijë sovranitetin e Republikës në çdo cep të territorit”, ka thënë Kurti.
Ai foli edhe për gjasat e partive opozitare në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Pragu për partitë e tjera është 5 për qind, për VV-në, 50 për qind”, ka thënë ai.
Edhe
Vetëvendosje nominon Albin Kurtin për kryeministër
Kurti kritika pati edhe për mediet. Tha se pavarësisht të arriturave të Qeverisë që drejton, kritikat nga to nuk mungojnë.
E pas fjalës së Kurtit, mbledhja shkoi në pauzë për 20 minuta, për të vazhduar e mbyllur për mediet.