Lëvizje Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka reaguar për dekretimin e Ramodir Labanit për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.
Vetëvendosje thotë se rehabilitimi i një personi me të kaluar kriminale e degradon institucionin më të lartë kushtetues, dhe ka për qëllim kryesor legjitimimin e “Zajednicës” dhe projekteve tjera të dëmshme për Kosovën, transmeton Koha.net.
“Dëmet e Hashim Thaçit nuk kanë të ndalur. Partitë në pushtet, së bashku me disa deputetë nga opozita, pas pazareve me Listën serbe, në muajin maj të këtij viti kishin votuar Radomir Laban, për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Menjëherë pas kësaj, bazuar në legjislacionin në fuqi, ne i kemi kërkuar zyrtarisht Presidentit, të mos e dekretoj personin në fjalë, pasi që i njëjti është dënuar me 6 vite burgim si pjesëtar i një grupi kriminal “Mafia doganore”. Por Presidenti nuk ka kthyer kurrë përgjigje zyrtare në lidhje me këtë kërkesë”, thuhet në komunikatë.
VV shton se Hashim Thaçi ka qenë në dijeni për gjitha këto dhe përkundër kësaj ka rehabilituar në institucionin kushtetues një person me të kaluar kriminale.
“Rehabilitimi i një personi me të kaluar kriminale në institucionin më të lartë kushtetues, përveç që e degradon edhe më tej cilësinë e këtij institucioni, i katandisur si mos më keq për shkak të ndërhyrjeve dhe presioneve, ka për qëllim kryesor legjitimimin e “Zajednicës” dhe projekteve tjera të dëmshme”, thotë VV.
Kjo parti thekson se, “ne nuk do ta lejojmë këtë dhe do të shohim gjitha mundësitë për zhbërjen e këtij dëmi”.
