Angazhimi vullnetar i fle në shpirt. Tash e gati 20 vjet është aktive në ofrimin e ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta.
Dhjetëra iniciativa vullnetare, shumë ide, energji e dëshirë për t’u ndihmuar atyre. Këto e karakterizojnë 41-vjeçaren, Leonora Shabani-Bajraktarin nga Prishtina, e cila pjesën më të madhe të jetës ua ka kushtuar këtyre fëmijëve.
Mosintegrimi i fëmijëve me nevoja të veçanta dhe mungesa e shumë shërbimeve për ta e ka shtyrë Leonorën të mos e ndalë përkushtimin disavjeçar për këtë kategori, shkruan sot Koha Ditore.
Angazhimin e saj e kishte nisur në vitet e para të pasluftës kur i kishte lindur vajza me sindromin Down. Edhe pse ka 5 vjet që Mjalta më nuk jeton, Leonora nuk është ndalur. Arsyen për të vazhduar këtë kauzë e gjen tek shpirti i vajzës së ndjerë. Madje i ka vënë vetes kusht, që shërbimet të cilat nuk pati mundësi t’i marrë Mjalta, të mos iu mungojnë fëmijëve të tjerë.
Para disa muajsh, Leonora ka nisur të mbledhë studentë dhe të rinj që kanë përfunduar studimet dhe po i angazhon vullnetarisht si asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta.
Vitin e kaluar shkollor janë angazhuar 40 asistentë, ndërsa edhe këtë vit pritet të angazhohen asistent të tjerë. Angazhimi i tyre zgjat 6 muaj. Përveç përvojës praktike, ata në fund marrin një certifikatë nga shkolla.
“I pata propozuar ministrit aktual që ta bëjë të obligueshme praktikën për Fakultetin e Edukimit, të Psikologjisë dhe Logopedisë. Iniciativa nuk u mor parasysh andaj fillova të mbledhë vullnetarë. Është e domosdoshme që familjeve të cilat nuk kanë mundësi financiare t’u sigurojmë asistentë për fëmijën e tyre”, thotë ajo.
Thirrjes së saj publike për asistentë vullnetarë përveç individëve i janë përgjigjur edhe organizata të ndryshme, që kanë shprehur vullnet të ndihmojnë në trajnimin e asistentëve....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)