Tash e 4 vjet Ndalore Likaj, nga ora 8:00 e mëngjesit punon si asistente farmacie në një nga barnatoret e Prizrenit.
Ajo e përshkruan ditën kur mësoi se do të punësohej në një nga barnatoret e këtij qyteti. Thotë se kurrë më parë nuk kishte përjetuar gëzim dhe befasi më të madhe, duke shtuar se një ëndërr e saj tashmë është bërë realitet.
“Unë me mamin kisha dal për shopping, na thirri Sofia dhe i tha a mundet të vijë Ndalorja te ne në barnatore të punojë, unë asgjë nuk kam ditur. Doktori ka ardhur në Qendrën e Sindromës Down dhe i kanë thënë për mua se kjo vajza është shumë e mirë, kështu më ftuan për të më bërë një surprizë, ma blenë mantelin dhe këpucët, menjëherë hyra në punë, aspak nuk e kam pritë”, tregon ajo.
26-vjeçarja tashmë është e pavarur dhe të gjitha aktivitetet gjatë ditës është në gjendje t’i bëj vetë, pa ndihmën e askujt. Pas 4-orëshit në barnatore, atë e presin aktivitete të tjera të cilat i vazhdon në shoqatën Down Syndrome Kosova.
“Unë zgjohem në ora 06:00 përgatitem për punë dhe në ora 08:00 vijë në barnatore, i përshëndes kolegët e mi, deri në 12:00 jam këtu, e më pas shkoj në Qendrën e Down Sindrome Kosova ku aty përgatisim qirinj, kartolina e këto gjërat festive”, shton Ndalorja.
Edhe pse në një orar të shkurtër, por për aq kohë sa qëndron këtu, Ndalorja ndan raporte tejet të mira me kolegët e saj të cilët e kanë mirëpritur dhe ndihmuar në çfarëdo që asaj i është dashur të mësojë për punën këtu.
“Unë jam me aftësi të kufizuara prandaj punoj vetëm 4 orë këtu, e kolegët e tjerë janë 8 orë në punë, të gjithë më kanë pritur mirë dhe e duam njëri-tjetrin”, tregon Ndalorja.
Farmacisti Yll Hulaj thotë se barnatorja deshi të kontribuojë në gjithëpërfshirjen e personave me Sindromë Down, kështu Ndalorja u bë pjesë e stafit të tyre për një periudhë gjashtëmujore, por avancimi dhe kontributi i saj bënë që barnatorja ta vazhdojë punësimin e saj.
“Ne deshëm të marrim në punë dikë që ka nevojë, neve na propozuan Ndaloren dhe që në ditën e parë ajo ka filluar punën këtu, ka qenë e mirëpritur dhe e kemi mësuar për gjitha detajet. Ajo është avancuar shumë, punësimi ka qenë i menduar vetëm për 6 muaj, por ajo tashmë ka bërë 4 vjet me ne dhe do vazhdojmë ta mbajmë këtu përderisa është aq e mirë”, tregon Ylli.
Ndaloren po e vlerësojnë edhe pacientët, madje ata nuk ikin pa e lavdëruar për punën që bën.
“Zakonisht kur të tjerët e shohin Ndaloren iu vjen mirë që ajo punon tek ne, e përshëndesin, e lavdërojnë, e përqafojnë e nganjëherë edhe bakshish i lënë duke ia vlerësuar punën. Ndalorja është e dëgjueshme dhe është person shumë i këndshëm”, shton në fund ai.
Nga viti 2009 Kosova ka një ligj të veçantë që e obligon çdo institucion publik dhe privat ta punësojnë së paku një person me aftësi të kufizuara.