Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiqi thotë se në Washington nuk i shkoi mendja të shkelmonte karrigen e të largohej

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk i ka shkuar në mendje që ta shkelmonte karrigen dhe të largohej nga takimi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Në një intervistë për gazetën boshnjake, “Dnevni Avaz”, ai është pyetur për takimin në Washington me delegacionin e Kosovës dhe marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator, si dhe foton që bëri bujë, ku shihet i ulur në karrige përballë presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

”Paramendoni një president nga cilido prej vendeve tona të vogla të rajonit të ketë rastin të hyjë në Zyrën Ovale, të flasë me presidentin e SHBA-së dhe kur t’i ofrohet karrigia, të thotë: ‘Më falni, nuk më intereson kjo karrige, tash do ta shkelmoj atë, e do të largohem dhe nuk lodhem për Amerikën, pasi mua më intereson për veten time se çfarë karrige do të jetë’. Sigurisht se nuk më shkoi kjo në mendje. Jam sjellë me përgjegjësi, jam sjellë me dinjitet dhe kam pasur nderin dhe mundësinë që të kem bisedë të shkëlqyeshme me Donald Trumpin. Këtë do ta përsërisja gjithmonë, pasi obligimi im është të bëj çdo gjë që mundem për vendin tim, për Serbinë. Jam munduar që çdo gjë që kemi propozuar të jetë në interes jo vetëm të Serbisë por edhe tjerëve në rajon”, ka thënë ai.