Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiqi për Grenellin e Palmerin: Nëse s’janë kundër nesh, s’do të thotë se janë lobues të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar se Qeveria e vendit paguan ish të dërguarin e Administratës Trump, Richard Grenell dhe ish-zv.ndihmës sekretarin e Shtetit për Çështje të Ballkanit Perëndimor dhe Eurozisë, Matthew Palmer.

Ai në një intervistë në një televizion në Serbi, të martën mbrëma, ka folur gjerë e gjatë për këtë dhe për çështjen e Kosovës.

Ka akuzuar të tjerët në Serbi që nuk janë me pushtetin si “tradhtarë” që nuk ia duan të mirën Serbisë.

“Kjo është një gënjeshtër e madhe, është e turpshme. Qëllimi i tyre është që të shkatërrojnë Serbinë. Secili që nuk është kundër nesh menjëherë e bëjnë lobues tonin”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar opozitës dhe mediave të pavarura në Serbi.

Të martën, “Nova.rs” raportoi se Oda Ekonomike e Serbisë ka ndarë 1.3 milionë dollarë në tri vitet e f undit e deri në fund të vitit 2022, do të ndajë edhe gjysmë milioni dollarë për lobuesit në SHBA në interes të Serbisë. Sipas kësaj gazete, marrëveshja për lobim është firmosur me Yorktown Solutions dhe në listën e kësaj agjencie, janë edhe numrat e kontakteve të Grenellit dhe Palmerit.

Për Grenellin, më herët edhe analisti serb Dushan Janjiq, tha se paguhet 100 mijë dollarë në muaj nga Serbia, por më vonë u tërhoq duke thënë se i duket se është kështu bazuar në ato që bën e vepron për Serbinë. Edhe Grenell e ka mohuar këtë.

Edhe Janjiq: Nuk thash se Grenelli paguhet si lobues nga Serbia, por se ngjan ashtu Arbëri Janjiq: Nuk thash se Grenelli paguhet si lobues nga Serbia, por se ngjan ashtu

Ndërkohë, Vuçiq ka folur edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe prapë ka gjetur rastin të godasë opozitën në Serbi.

“Unë e kuptoj Kurtin që e urren Serbinë pasi e ka mbyllur në burgun e Nishit. Ai mund ta dojë pushtetin e demokratëve që e liroi nga burgu më 2000”, ka thënë Vuçiq, duke e akuzuar kreun e ekzekutivit kosovar se nuk po “dëshiron të bisedojë e as të zbatojë marrëveshjet e deritashme Kosovë – Serbi”.