Zgjidhja për Kosovën është ende larg, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fillim të takimit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të martën në Moskë.
Vuçiqi tha se situata në Ballkanin Perëndimor është komplekse dhe se Serbia duron provokime, porse “dëshiron paqe dhe stabilitet”.
Ai e falënderoi Rusinë për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe të interesave të Serbisë, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Presidenti rus Vladimir Putin tha sot në një takim me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq se ata duhet të diskutojnë për situatën në Ballkan.
"Jam i bindur se është e nevojshme të diskutohet situata në rajon", tha Putin.
Ai ishte i kënaqur të theksonte se niveli i tregtisë midis dy vendeve po rritet, si dhe niveli i investimeve ruse në ekonominë e Serbisë.
Ky është takimi i dytë i Vuçiqit me Putinin këtë vit.
Vuçiqi tha të hënën se do të kërkojë ndihmë nga Putini për çështjen e Kosovës.