Me mospajtime e me kritika është shoqëruar të martën diskutimi mbi Kosovën dhe dialogun në një seancë të veçantë të Kuvendit të Serbisë. Aty, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka bërë betimin se për aq kohë sa do të jetë në udhëheqje, Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën shtet.
“Jam betuar mbi Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe kurrë, as në mënyrë direkte e as indirekte, nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë, e as nuk do të heqë dorë nga interesat legjitime shtetërore e kombëtare dhe nga respektimi i së drejtës ndërkombëtare”, tha Vuçiq.
Ai është zotuar po ashtu se do t’u dalë në mbrojtje qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, po qe se sulmohen.
“Më besoni, nëse populli jonë (në Kosovë) do të sulmohet, do të jemi mjaftueshëm të fortë që t’i mbrojmë, më besoni në fjalë”, tha Vuçiq.
Kritika ndaj udhëheqjes në Serbi ka adresuar deputeti i vetëm shqiptar në Kuvend, Shaip Kamberi. Ai ka thënë se Serbia nuk po reflekton gatishmëri për normalizimin e marrëdhënieve dhe për një marrëveshje me Kosovën. Kritika ka pasur edhe për përkeqësimin e situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Si përfaqësues i shqiptarëve që jetojnë në Luginë konsideroj që normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është interes vital edhe për të ardhmen e shqiptarëve që jetojnë në Luginë. Në kontekstin e marrëveshjes së ardhshme reciprociteti është adekuat nëse synimi është zgjidhja e problemeve me dialog. Nuk mundemi të merrni vendime të njëanshme”, tha Kamberi.
Për këto qëndrime, Kamberi është thumbuar nga deputetët se po i përfaqëson interesat e Kosovës.
Politikat e Vuçiqit kundruall Kosovës janë kontestuar nga disa deputetë të rrymave më radikale, të cilët gjatë seancës kanë përdorur terme raciste ndaj shqiptarëve. E Vuçiqin ata e kritikuar se po lëshon pe rreth Kosovës.
Këtyre kritikave, Vuçiqi iu kundërpërgjigj, duke thënë se është më mirë të dialogohet 1 mijë vjet sesa të luftohet për edhe vetëm një ditë.
Deputeti nga radhët e koalicionit të subjekteve të gjelbra e të majta, Radomir Llazoviq, ka përmendur krimin në veri të Kosovës teksa Vuçiqi ka thënë se ndonëse nuk e thotë, Llazoviqi do ta dëshironte njohjen e Kosovës si shtet.