Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiq: Presim një presion të përbashkët nga BE-ja dhe SHBA-ja për njohje të Kosovës

Foto: Reuters

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbinë e pret një periudhë e vështirë. Ai ka shtuar se pret që të ketë një presion të përbashkët nga BE-ja dhe SHBA-ja për ta njohur Kosovën.

Vuçiq ka thënë se është me rëndësi të kuptohet pozita e rëndë në të cilën gjendet Serbia, veçanërisht pas ndryshimit të administratës amerikane.

“Presim një presion të përbashkët nga BE-ja dhe SHBA-ja mbi vendin tonë për të përmbushur rreth, siç thonë amerikanët, një Kosove të njohur, pasi njohja e Beogradit nga Kosova nuk do të thotë asgjë për ne dhe është pak qesharake. Në të njëjtën kohë, BE-ja do ta përdorë një fjalor më ndryshe, por shkon drejt të njëjtit qëllim. Ne na pret një periudhë e vështirë”, ka thënë Vuçiq në konferencë për media, raporton Tanjug.

Vuçiq ka shtuar se do të bisedojë me përfaqësuesin e lartë të BE-së, për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, në fundjavë dhe do t’i thotë se çfarë mundet Serbia e çfarë nuk do të bëjë me asnjë çmim.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet e mbajtura në Kosovë më 14 shkurt.

“Analizuam zgjedhjet e fundit në Kosovë e Metohi. Mes popullatës serbe u konstatua mbështetje absolute për Listën Serbe. Ajo është më e madhja në veri dhe në përputhje me këtë do të marrim masa për t’iu kundërvënë dhunës së subjekteve politike shqiptare”, ka thënë Vuçiq.

Ai i është kthyer edhe deklaratës së Albin Kurtit në lidhje me atë se më 1999, Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

Edhe Pas njohjeve të reja për Kosovën, Serbia “mobilizohet” për “çnjohje” Arbëri Pas njohjeve të reja për Kosovën, Serbia “mobilizohet” për “çnjohje”

“Sa i përket gjenocidit, njerëzit luajnë me terme pa ditur gjë për to. Ai si marksist dhe anarkist ka mundur ma mirë ta mësojë këtë. Po mundohem të mos përgjigjem në fyerjet e tij. Në fund të ditës, është mirë të bisedohet”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka folur edhe sa i përket deklarimeve të Kurtit se nuk do të ketë vend për Listën Serbe në Qeverinë e re të Kosovës.

“Sa i përket Listës Serbe, sipas ligjeve të tyre, ata duhet të japin mandate, dhe ne do të shohim në vijim nëse Lista Serbe do të pranojë ato”, ka thënë Vuçiq.