Arbëri

Vuçiqi për shpërthimet në veri: U dërguan policë në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur nga Tirana për shpërthimet që kanë ndodhur në veri të Kosovës, ku janë demoluar zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok.

Ai ka akuzuar Kosovën, duke thënë se “ka shkelur marrëveshjen e Brukselit me dërgimin e policëve të armatosur në veri”.

“Sot, përsëri, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, janë dërguar policë të armatosur në veri. Siç thashë dje, thjeshtë pyesni se në cilën ditë do të ndodhë një provokim i ri që mund të prishë stabilitetin dhe paqen. Mirë që të paktën sipas informatave nuk ka viktima dhe besojmë se do të mbetet e tillë. Për sa i përket kohës, nuk e dimë se çfarë ka në mendjen e atyre njerëzve që duan të shkaktojnë konflikte çdo javë. Nuk është një periudhë e lehtë përpara nesh. Por, është e rëndësishme që të qëndrojmë me popullin tonë dhe të pajtohemi me shqiptarët për gjithçka që është e mundur që të ruhet paqja. Besoj se Miroslav Lajçak do të luajë një rol të rëndësishëm në qetësimin”, tha Vuçiq, raporton B92.

Ai tha se pret raport nga spitali në veri të Mitrovicës. 

“Tani është qetësi dhe pres raportin nga qendra jonë spitalore në Mitrovicë. Sipas Marrëveshjes së Brukselit, policët e Kosovës nuk mund të hyjnë në veri pa pëlqimin e 4 kryetarëve të komunave. Asnjërin nga katër kryetarët nuk e kanë pyetur”, tha Vuçiq.

Sa i përket deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se për të: “Kushdo që nuk është pro njohjes së pavarësisë së Kosovës është njeri i së kaluarës, e ndoshta për të ardhmen janë ata që duan të bëjnë çdo gjë që duan. Narrativë e zakonshme”.

Vuçiq ka thënë se është i lumtur me diskutimet dhe marrëveshjet në Samitin BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë.

“Biseduam për gjëra konkrete, për mbështetjen e Serbisë, lidhur me sektorin e energjisë, roaming, por edhe çështje strategjike dhe gjithçka që na pret”, tha Vuçiq.